Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj pas takimit me kryeministrin Albin Kurti tha se ka kërkuar nga ai që dialogu të mos ketë surpriza, ndërsa u shpreh se do të ishte me dobi që Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përkatësisht presidenti Joe Biden të emërojë një emisar në dialogun Kosovë-Serbi.

Haradinaj tha se në këtë takim me Kurtin ka dëgjuar pikëpamjet e kryeministrit për dialogun dhe ka shprehur shqetësimet e tij, si lider i AAK-së për këtë proces.
Kryetari i Aleancës tha se propozimi i tyre, siç e kanë kërkuar edhe në letrën e 6 majit drejtuar Kurtit është që SHBA-të të përfshihen në dialog.

“Hetojmë një mungesë të prezencës së SHBA-ve në dialog… Mendoj se kjo është situatë jo e mirë për Kosovën, e prish balancën e interesave të Kosovës në dialogun me Serbinë. Do të ishte me dobi emërimi i një emisari për dialogun nga presidenti amerikan Joe Biden”, tha kreu i AAK-së.

Sipas tij, shqetësuese është edhe fakti se “ka konfuzion në agjenda”, pasi siç tha ai, disa zhvillime prezantohen si agjendë e Berlinit, siç është ajo e lëvizjes së lirë me Bosnjën.

Duke folur për dialogun Kosovë-Serbi, Haradinaj tha se peshën kryesore e ka Mirosllav Lajçak, e që siç tha ai është nivel i ulët i përfaqësimit.
Kreu i AAK-së kërkoi po ashtu që dialogu të mos ketë surpriza dhe të respektohet Kushtetuta e vendit. Ai foli edhe për deklaratën e Kurtit në Bruksel se Ballkani Perëndimor duhet të lirohet nga kriminelët e luftës.

“Hetojmë një lloj ikje prej faktit se Kosova ka bo luftë çlirimtare. UÇK e ka sjellë lirinë e vendit, e ndihmuar nga NATO dhe nuk mund të barazohen vendet e rajonit”, tha Haradinaj.

Sipas tij, Serbia është ende e pa demilitarizuar, ndërsa Kosova e ka kryer këtë proces, duke u transformuar nga UÇK-ja, në TMK, pastaj në FSK. “I vetmi vend në rajon është sipas meje ose siç është dasht Kurti të thotë se Serbia ka nevojë me u liru prej kriminelëve të luftës”, tha Haradinaj.

Ai më tej tha se Kosova i ka në Kuvend dy persona që janë viktima të luftës, si Vasfije Krasniqi dhe Saranda Bogujevci.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb