Kancelarja gjermane, Angela Merkel do të takojë mbretëreshën Elizabeth II dhe do të ketë një çmim shkencor në nder të saj, gjatë vizitës së fundit zyrtare në Britaninë e Madhe para se të largohet nga funksionet e saj politike, pas zgjedhjeve legjislative në shtator.

Në vizitën e 22-të në Britaninë e Madhe që prej marrjes së funksionit në 2005, Angela Merkel do të takojë kryeministrin, Boris Johnson në Chequers, residenca e kryeministrave britanikë si dhe mbretëreshën në Kështjellën e Windsor, 40 kilometra nga Londra.

Ajo do t’i drejtohet me video-konferencë kabinetit britanik, drejtuesja e parë që e bën këtë që prej kohës së presidentit amerikan, Bill Clinton në 1997.

Për Boris Johnson, kjo vizitë është rasti për të përshëndetur miqësinë e palëkundur mes dy vendeve, pavarësisht Brexit që shkaktoi tensione mes Londrës dhe Bashkimit Europian, veçanërisht për çështjen e statusit doganor të Irlandës së Veriut, i negociuar në kuadër të daljes së Britanisë së Madhe nga BE.

“Gjatë 16 viteve mandat të kancelares, Merkel, marrëdhëniet mes Britanisë së Madhe dhe Gjermanisë janë bërë më dinamike për një epokë të re”, përshëndeti Boris Johnson në një komunikatë.

Në nderim të kancelares, me profesion shkencëtare, kryeministri njoftoi krijimin e një çmimi për një grua të vendosur në Britaninë e Madhe ose në Gjermani, e cila ka shkëlqyer në fushën e astrofizikës.

Dhënë çdo vit dhe shoqëruar me një çmim prej 10 000 sterlinash (11 600 euro), ky çmim do të marrë emrin e Caroline Herschel, një astro-fizikane britanike me origjinë gjermane e cila ishte një pioniere në këtë fushë.

Të dy drejtuesit konservatorë do të zotohen gjithashtu të zhvillojnë takime të përbashkëta vjetore të këshillit të ministrave britanik dhe gjerman.//ATSH

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb