Pas vendimit të sotëm të Qeverisë së Kosovës që ka të bëjë me zbatimin e vendimit për targat, ka reaguar Lista Serbe, duke thënë se shqiptimi i parë i gjobës do të jetë shkas për rezistencë të ashpër të serbëve, sepse, sipas tyre, ata janë të vetëdijshëm për qëllimet reale të kryeministrit Kurti.

“Duke pasur parasysh planin e Albin Kurtit për të shqiptuar qortime dhe dënime të tjera ndaj serbëve që posedojnë targa legale dhe legjitime të lëshuara nga autoritetet e Republikës së Serbisë, në emër të popullit serb nga kjo zonë duam t’i themi atij qartë dhe pa mëdyshje se shqiptimi i masës së parë të gjobave do të jetë shkas për reagimin dhe rezistencën e ashpër të popullit serb, sepse jemi të vetëdijshëm për qëllimet e vërteta të pushtetarëve nga Prishtina”, thuhet në reagimin e Listës Serbe.

Më tej në reagimin e këtij subjekti politik thuhet se “të gjithë ata që mendojnë se populli ynë do të shikojë në heshtje heqjen marrjen e të drejtave, heqjen e targave KM, respektivisht lirinë e lëvizjes dhe rrezikimin e mbijetesës sonë, gabojnë rëndë”.

“Paralajmërimi i Albin Kurtit nuk është gjë tjetër veçse dëshirë për të vazhduar me planin e përndjekjes së serbëve nga vatrat e tyre shekullore”.

“Shfrytëzojmë rastin që edhe një herë t’u përcjellim qytetarëve tanë mesazhin e qartë të Presidentit Aleksandar Vuçiç, serbët në Kosovë nuk janë vetëm dhe as shteti i Serbisë nuk do të lejojë përndjekjen dhe dëbimin e popullit tonë”, thuhet në reagim.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb