Atletja e njohur Luiza Gega ishte e ftuar këtë të diel në programin “Dola te Ola”, ku ndër të tjera foli për rrugëtimin e saj në atletikë. Luiza tregoi se kur nisi studimet në Universitetin e Sporteve dëshira dhe kërkesa e saj ishte të trajnohej nga trajneri më i miri Taulant Stërmasi, i cili vijon të jetë edhe sot e kësaj dite trajneri i saj. Luiza kujtoi se trajnimet me Stërmasin i ka nisur më 5 nëntor, në ditën e saj të lindjes kur mbushi 19 vjeçe.

Ajo tha se në fillim trajneri i saj ishte pak skeptik për të pasi punonte me sportistet më të mira të asaj kohe. “Nuk isha një nga sportistet më e mira kombëtare. Më mori, por nuk më kushtonte shumë rëndësi në fillim. Më dha një program jo shumë të detajuar, por unë nisa ta ndjek me shumë përpikmëri”, tha ajo. Pas 4 muajsh stërvitje Luiza mori pjesë në një garë në Malin e Zi dhe ishte përmirësuar shumë duke dhënë një nga rezultatet më të mira të aktivitetit. Ky rezultat i saj i bëri përshtypje Taulant Stërmasit, që pa një përkushtim të madh nga ana e tij, ajo kishte arriti këto rezultate, ndaj prej atij momenti trajneri ndryshoi qëndrim dhe sot janë të shumta rekordet që ata kanë thyer.

Në lidhje me përditshmërinë e saj Luiza tregoi se zakonisht dita e saj nis në orën 08:00. Ajo tha se nuk mban një dietë fikse, por konsumon ushqimet që i duhen në varësi të stërvitjes ditore që bën. Ndërkohë që zbuloi se merr edhe suplemente shtesë pasi është e pamundur që t’i plotësojë të gjithë vitaminat dhe mineralet që i duhen me ushqimet që konsumon.

Luiza zbuloi se pas një stërvitje të fortë ajo bën banjo me akull dhe masazhe, pasi trupi i saj gjatë stërvitjes shkon në limite, ndaj është shumë e rëndësishme që muskujt të çlirohen që të jetë gati për të nesërmen.
Atletja e njohur prej 8 vitesh gjatë muajve të ftohtë dhjetor-janar, e kryesisht dhe në shkurt, stërvitet në Kenia. Ajo tregoi se është shumë e rëndësishme që sportistët e distancave të stërviten në mungesë oksigjeni, dhe vendi ku ajo stërvitet në Kenia është në lartësi 2400 m mbi nivelin e detit dhe është ngrohtë. Ndërkohë në Shqipëri prej 7 vitesh ajo stërvitet në Dardhë të Korçës, pasi aty është lartësia dhe temperatura ideale që asaj i duhen.

Vitin e kaluar atletja u shpall Kampione Europe në atletikë, lidhur me këtë triumf Luiza tha, “Është një medalje që vjen pas 20 vitesh mund dhe sakrificë”.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb