TIRANE-Të ardhurat e grumbulluara nga shitja e disqeve gjatë koncertit të tenorit Saimir Pirgu në Teatrin e Operas dhe Baletit në Tiranë, i janë dhuruar Spitalit të Pediatrisë në ndihmë të fëmijëve.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, së bashku me tenorin Saimir Pirgu, ishin mëngjesin e sotëm në ambientet e QSUT-së ku i dorëzuan drejtoreshës së këtij institucioni, Ogerta Manastirliu, çekun e të ardhurave.

Gjatë vizitës, kryebashkiaku Veliaj shprehu gatishmërinë për të ndihmuar me projekte konkrete lehtësimin e punës në Spitalin e Pediatrisë.

“Samiri këmbënguli që të gjitha të ardhurat që u mblodhën dje nga shitja e CD-ve t’i jepte si dhuratë pranë spitalit të fëmijëve. Nëse ka një nevojë të cilën ne mund ta plotësojmë, mendoni një projekt, diçka që mund ta bëjë edhe më të lehtë punën tuaj për fëmijët. Kjo do të ishte mënyra më e mirë për të nderuar mikun tonë, si dhe për të respektuar dëshirën e tij, që këto të ardhura të shkojnë për një kauzë kaq fisnike, sa edhe puna juaj”, u shpreh Veliaj.

Tenori Saimir Pirgu vlerësoi rolin e mjekëve pediatër në trajtimin e rasteve të fëmijëve të sëmurë. “Fuqia e mjekëve, pasi koordinoni të gjithë punën e specialistëve të tjerë, dhe buzëqeshja juaj çdo mëngjes, janë gjëja kryesore për fëmijët dhe për prindërit”, tha Pirgu.

Drejtoresha e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, Ogerta Manastirliu, u shpreh se ky dhurim është një akt solidariteti për t’u bërë të gjithë bashkë. “Dua të falenderoj, jo vetëm për kontributin financiar, por për aktin, i cili është shumë inkurajues, padyshim shumë i rëndësishëm për spitalin pediatrik”, tha ajo, duke theksuar se shumë shpejt do të ngrihet rrjeti i fëmijëve të spitalit pediatrik dhe ftoi tenorin Pirgu që të jetë pjesë e kësaj kauze.

Koncerti i tenorit të mirënjohur shqiptar, Saimir Pirgu, në Teatrin e Operës dhe Baletit ishte pjesë e turit “Il mio canto”, i cili pati mbështetjen e Bashkisë së Tiranës. Ky koncert është pjesë e turit botëror të këtij artisti në qytet më të mëdha të botës si: Firenze, Vjenë, Paris, Berlin, Nju Jork, Moskë, Tokio

(d.b/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: