TIRANË

Kreu i Komisionit të Ligjeve, deputeti socialist, Ulsi Manja, sqaroi në Kuvend arsyet pse duhet miratuar ligji “ANTI-KÇK”. Manja tha se për gjyqtarët dhe prokurorët është Vettingu, për politikanët është ILDKP dhe SPAK, ndërsa për të dënuarit për vepra të rënda penale duhet të jetë OFL. Sipas tij, Akti Normativ ka rëndësi, pasi në bazë të tij, do duhet që të dënuarit për krime të rënda të justifikojnë burimin e pasurive të tyre.

“Janë ngritur pikëpyetje me kushtetushmërinë e aktit normativ. Unë kam një qëndrim shumë të thjeshtë, jam pro këtij akti normativ, sepse në standardet e reformave që ka vendosur mazhoranca, ka një reformë në drejtësi dhe për gjyqtarët e prokurorët ka vetting, për politikanët ka ILDKP dhe SPAK, ndërsa për të dënuarit për veprat penale të rënda do të ketë OFL. Akti normativ është një formë e deklarimit të pasurisë për personat e dënuar dhe që do të kenë barrën e provës për të provuar pasurinë e tyre dhe se vjen nga burime të ligjshme.

Ky akt normativ ka trazuar ujërat e ndenjura për 30 vjet, në të gjitha sferat e jetës shoqërisë, në politik, biznes, etj, por ja që erdhëm në miratimin e këtij akti normativ. Për të gjithë ata që kanë merak se me këtë akt kufizohen disa të drejta kushtetuese të rrinë të qetë se nuk kufizohet asnjë e drejtë. Ky ligj special e justifikon nevojën që kemi. Akt ka efekte deri më 30 dhjetor 2020, por nëse efikasiteti i tij do të kërkojë ta shtyjmë përtej, pse jo Parlamenti do duhet t’ia japë këtë mundësi institucioneve për ta zbatuar deri në fund.

Me këtë akt nuk goditen gjithë qytetarët, ata të rrinë të qetë, subjekte do të jenë vetëm personat e dënuar brenda dhe jashtë vendit për veprat krim i organizuar, krime të rënda, aktivitete terroriste, apo subjekte që financojnë terrorizmin. Ndërsa për qytetarët do të ketë amnisti fiskale”, tha Manja.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: