Cili është mendimi i parë që ju vjen, kur dëgjoni fjalën mongol? Unë e kam hasur rrugëve në jo pak raste. Përdoret si fyerje për prejardhjen ose intelektin e dikujt. Ndoshta për shkak se është një vend shumë larg nesh. Ndoshta se ka një tingëllim nënçmues, pak a shumë si “çeçen” apo “Zimbabwe”, fjalë që nxirren nga goja pa kujdes, për të fyer dikë të ndryshëm në pamje, dialekt apo sjellje. I kureshtuar nga kjo “njollë” rruge, nisa të lexoj për Mongolinë. Përpos historisë së pasur me pushtime e dyndje, mongolët njihen për rezervën më të vjetër biosferike në botë. Quhet Bogd Khan Uul dhe ndodhet në jug të kryeqytetit të vendit. Në vitin 1778 qeveria mongole mori vendimin për ta mbrojtur këtë zonë, për ta patur të paprekshme nga dora e gjatë e lakmisë.

Në atë vit Shqipëria s’ishte bërë ende shtet. Por, sot që është shtet, dhe shtet kandidat për BE, Shqipëria rishikon ligjin për zonat e mbrojtura, pas një kërkese zyrtare të 12 deputetëve të partisë që qeveris. Nuk do i bëj biografinë 12 deputetëve, se me gjasë, do thonë se nisem nga pozicionimi si kundërshtar politik, mirëpo nuk ma mban goja të mos shpreh së paku habinë se plot 12 deputetë, të cilët të marrë së bashku nuk kanë folur 12 minuta për zonat e tyre zgjedhore, u zgjuan të alarmuar e i kërkuan qeverisë të ndryshojë ligjin për zonat e mbrojtura të Shqipërisë.

Nuk do të ndalem në emra të përveçëm, pasi për mua nuk ka rëndësi nëse ligjvenesi quhet Anduel apo Edona, Bujar apo jo; madje nuk ka rëndësi fare nëse ky apo kjo deputet/e ka në zonën e vet zgjedhore një zonë të mbrojtur me ligj. Unë gjykoj nxitimin, mënyrat dhe skemën e organizimit që do i heqë Shqipërisë një zonë të mbrojtur për t’ia dhënë “në mbrojtje” një ndërtuesi, një hotelieri apo një biznesi çfarëdo qoftë. Për të përligjur këtë lëvizje të koordinuar, justifikimi vjen i gatshëm nga qendra e Tiranës: “Do të lejojmë zhvillimin e pronës private”. Opinioni publik e ka të vrarë veshin nga ky togfjalësh. E përdor pa kursim kryebashkiaku i Tiranës sa herë i lipset të mbrojë të pambrojtshmen, batërdinë me kulla në qendrën historike të Tiranës, dikur e mbrojtur me ligj si “Ansambël Monumental Historik”.

Ligji u zhbë dhe përbri Sahatkullës dhe xhamisë disashekullore të Et’hem Beut u ngritën vrik shumëkatësha betoni. Te njetin fat pati Teatri, dhe shenjat janë që edhe Muzeu është në atë trajektore. Edhe kjo në emër të zhvillimit. Dyshimi i arsyeshëm më shtyn të mendoj se ky model po importohet nga Bashkia e Tiranës drejt skajeve të vendit, ku zona arkeologjike identitare dhe shëndeti i nënës natyrë sa vjen e rrezikohet nga pangopësia për t’i shtënë në të njëjtat duar që betonizuan Durrësin e lashtë, Vlorën dhe bregdetin e saj të lakmueshëm. Mongolia është ca larg, prandaj le të krahasohemi me një fqinj të mirë, të cilit qeveria e gjindshme e Ramës po i ofron Gjadrin si strehë. Italia ka 843 zona të mbrojtura tokësore dhe detare për një sipërfaqe të mbrojtur prej mbi 3 milionë hektarësh, e barabartë me 10.5% të sipërfaqes së vendit. Domethënë fqinjët tanë në 10,5% të territorit të tyre nuk mund të shkulin një lule. Dorën “ta pret” ligji për zonat e mbrojtura.

Ndodh që brenda një zone të mbrojtur të ketë një pronë private, ashtu siç ndodh që e gjithë zona e mbrojtur e ka patur ose e ka një pronar, sepse tokë pa zot nuk ka. Pronari nuk gëzon asnjë atribut për ta tjetërsuar apo “zhvilluar” pronën e tij, pasi qeveria ka përparësuar natyrën dhe peizazhin mbi njeriun. Konferenca e Kombeve të Bashkuara COP15 në vitin 2022 shprehu domosdoshmërinë që brenda vitit 2030, planeti Tokë të jetë në 30% të sipërfaqes zonë e mbrojtur. Objektivi 30×30 e quajtën. Në Shqipërinë tonë për 2030-n partia e të gjitha pushteteve mban kongrese lavdie. Kryeministri i vendos target partisë së tij për të shtrirë kohëqëndrimin në pushtet deri në 2030-n, duke planifikuar që deri atëherë ta ketë tuteluar vendin në 100% të shtrirjes së vet. Që ish-komunistët e Shqipërisë do ia mbërrinin ditës të shfaqeshin me parrulla të tipit “Të zhvillojmë pronën private”, këtë nuk ia priste mendja kujt. Në Perëndim do gajaseshin. Do të ishte një perlë e satirës politike.

Turrja drejt zonave të mbrojtura, pasi mbaruan me të pambrojturat, është sipari i Fundit të Shqipërisë. Prej themelimit të shtetit shqiptar, kalimi i zonave të mbrojtura nën mbikëqyrjen e KKT-së, është ligjërim i vrasjes së natyrës, i okultimit të bukurive të saj, i shqyerjes për interesa individuale. Shqipëria dhe shqiptarët nuk përfitojnë asgjë nga ky ligj i ndryshuar. Nuk përfiton turizmi e as kureshtarët e huaj, të cilët kanë dëgjuar për Vjosën, Butrintin dhe Karaburunin. Nuk përfiton as bota e egër shtazore, bimësia autoktone dhe shpendët migratorë. Përfitojnë vetëm disa krijesa dykëmbëshe me dy xhepa në vend të mushkërive. Nuk janë barbarë, nuk janë as çeçenë, rusë, serbë, grekë apo mongolë. Janë shqiptarë, prandaj vetëm shqiptarët mund t’iu tregojnë vendin.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb