Nga Kastriot Bimo*

Në emisionin “Autokton” të autores Anila Ahmataj, i cili trasmetohet në Televizionin më të madh të informacionit në vend, News 24, pata nderin që të kisha hapësirën si historian por edhe si bashkëpuntor për realizimin e projektit “E Vërteta e Vlorës” të cilin e propozova dhe pata përgjegjësinë për paraqitjen e fakteve, dokumentave dhe shumë ngjarjeve të bujshme edhe të trasmetuara por edhe të patrasmetuara kurrë më parë. U realizuan 10 seri të cilat sollën në qëndër të vëmendjes së publikut të vërtetat e Vlorës.

Nevoja e zbardhjes së të vërtetës historike të një qyteti, krahine apo vendi merr vlera dhe dimensione të reja. Kur studimi nxjerr fakte  në një kryqëzim referencash  si risi në analizën shkencore.

Kastriot Bimo
Kastriot Bimo

Këtë përgjegjësi historike e të panjohur, jo kryer më parë, e mori stafi i emisionit “Autokton” me autore Anila Ahmataj e regjisor Ardit Zotaj. Një punë sa e mundimshme kjo aq edhe shpërblyese kur paraqet fakte të së vërtetës, qytetit të flamurit. E kaluara e tij e hershme dhe të vonë në një hark kohor mijëravjeçar sillet në një paraqitje sa akademike e shkencore, aq të thjeshtë dhe të kuptueshëm për publikun e gjërë me referencat e shumta historike. Por historiografia e devijuar nga e vërteta do të përbënte një pengesë serioze si referencë prandaj stafi i hulumtimit shkencor e pa të tejkaluar një pjesë të retushuar të historisë së qytetit nën dritën e fakteve të reja shkencore. Këto u bënë të mundura nga pothuaj gjithë arkivat europiane, si ato romake, venedikase, osmane, austriake, hungareze, britanike, gjermane, franceze, italiane, serbe, greke, etj. nga ku dolën një mori të dhënash krejtësisht të panjohura për historinë. Këto për vetë punën e madhe por edhe publikun do të çonin në hapjen e rrugës drejt të vërtetës, duke i paraqitur ato kronologjikish dhe besnikërisht, ku gjeneratat do të nxjerrin falë tyre një lloj definicioni mbi strukturën e qytetit  krerët e tij, luftrat, kështjellat, objektet e kultit e gjithçka, ku do ta ketë shumë të lehtë të vërtetojë se historia mësohet për të mos përsëritur gabimet e së kaluarës.

Anila 4

Xhirimet janë kryer në të gjithë hapësirën rurale që i ka shërbyer në kohëra qytetit, duke kryer intervistat sinkrone pranë tyre, për ta bërë më të afrueshëm shpjegimin e argumentit historik, me vendin e ngjarjes, të kryera këto me profesionalizëm nga regjisori Ardit Zotaj. Ndërhyrjet historiko-letrare të drejtueses së emisionit Anila Ahmataj, ku ilustrohen situata, etapa kohore dhe ngjarje që kanë ndikuar në ecurinë e zhvillimit të ngjarjeve, por edhe fatit që koha i rezervoi qytetit, janë pjesa më e domosdoshme dhe më ilustruese artistikisht.

Duhet të veçojmë faktet që përbëjnë risi në pjesët e ndryshme të emisionit, qysh nga fillimet e ndërtimit të qytetit 2500 vjet më parë, ku një hipotezë u hodh ai i ndërtimit të tij në “Kepin e Triportit” me emrin Byliake, si dhe në etapa të tjera të ekzistencës së një mbreti me emrin Aulon, periudha veneciane dhe ligjet e saj për krijimin e kurorës së qytetit me ullinj, të cilët rezistuan deri më 1991. Një periudhë tejet interesante nën Perandorinë Biznatine, personazhet, objektet e kultit etj, ku Despoti i qytetit Aleksandër Komnen Asen, merr pjesë së bashku me 5000 trupa të qytetit në Betejën e Maricës më 1371 ku u vra së bashku me 3000 vlonjatë vendosjet e Principatës Komnen, ku qyteti i at’hershëm varej prej saj dhe shtrirjen pronësore, si dhe bashkpunimi në Kuvendin e Lezhëz me Gjergj Kastriotin.

Anila 3

Por në shekullin e XIX dominon klasa feudale opozitare e Portës së Lartë e qytetit, ku tregon dhe pjesmarrjen më të madhe në kryengritjen kundër reformave të Tanzimatit të krerëve kryengritës nga 89, vetëm Kazaja e Vlorës  45 krerë. Pasojmë me Lidhjen e Prizrenit, ku një nga krerët e aristokracisë vlonjate, ishte anëtar i rëndësishëm i Komitetit të Stambollit me në krye Abdyl Frashërin, si dhe ndërtimi i shkollës së parë shqipe atë të Muradies vetëm pak ditë pas mbajtjes së Kongresit të Manastirit më 1908.

Natyrshëm preludi i përpjekjeve dhe sakrificave shqiptare do të ishte shpallja e Pavarësisë, në një Shqipëri krejt osmane, produkt i 500 vjetëve bashkjetesë e shërbim, por dhe fakte të panjohura më parë të aktivitetit të Qeverisë “Vlora” dhe misioni i saj frenues në Konferencës së Londrës 1913. Të dy këto ngjarje do të dominoheshin nga krijuesja dhe mbrojtësja e paepur e shtetit të ri shqiptar, Perandoria Austro-hungareze.

Rolin e qytetit në Lëvizjen e Qershorit 1924 ndërtimin e shkollës Tregtare po në këtë vit, lëvizjet pro dhe kundër monarkisë. Emisioni i evidenton katërcipërisht në një dritë të re faktesh e dokumentash, duke evidentuat vlerat dhe problematikën e qytetit të flamurit.

Anila 1

Lufta e Dytë Botërore në Shqipëri, dhe kryesisht qytetin e Vlorës përbën një studim të jashtzakonshëm mbi pjesmarrjen politike, ushtarake dhe qytetare, nga ku zbardhet për herë të parë nëpërmjet faktesh, internimi i qindra patriotëve elitarë vlonjatë dhe autorët e tij fare larg nga ai përfundim i stisur që njihet deri tani. Kontributi i patriotëve vlonjatë ishte i rëndësisë së veçantë edhe në bashkimin e Shqipërisë me Kosovën më 1940.

Periudha e pasluftës do të përbënte një të vërtetë të hidhur e zbuluar pas mbështetjeve politike të shteteve komuniste, si Jugosllavia, aspak e besueshme në rrafshin kohor historik ndaj shqiptarëve, ku për pak arrin të bëjë pjesë të saj Shqipërinë si republikë e shtatë e saj Bashkimi Sovjetik, të vërtetën e ndërtimit të bazës detare të Vlorës, kërkuar dhe dëbuar po nga shqiptarët. Periudhën e trishtueshme të shkëputjes nga këto fuqi pas një lufte brenda llojit, qyteti dhe vendi e konkretizonte me zinë e bukës.

U pa e arsyeshme që emisioni të shkonte si periudhe në fund të viteve ’80, pra me rënien e Murit të Berlinit, si dhe eksodin e madh drejt Europës, ku qyteti ishte i pari që theu portën lindore komuniste, drejt Europës, jo pa kosto. Mesazhi i fundit për qytetin dhe ndotjen e tij mjedisore është pjesa më domethënëse e përmbledhjes dhe ndërgjegjësimit se në histori shkruhen të gjitha, por edhe përsëritjen e gabimeve, pasi nuk njeh historinë…

Do të shihen këto 10 seri në një konferencë shkencore po në Vlorë së shpejti….

*Historian

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: