Nga: KIÇO BLUSHI*
Shoqëria jonë, për fat të keq, sa vjen e bëhet më pak solidare. Rrjedhimisht edhe më pak humane. Humbja e solidaritetit është vdekje edhe e humanizmit, pasi njëra e nënkupton dhe e ushqen tjetrën, si enët komunikuese. Kur dobësohet solidariteti, automatikisht mpaket, bie e tretet edhe humanizmi.
Njeriu i sotëm po e vuan mungesën e solidaritetit, jo për faj të vet, por sepse burimi ka shterur lart, në majë të shoqërisë. Ngaqë ndjehet i pasigurt, i rrezikuar, i kërcënuar, i braktisur, i detyruar të luftojë vetmitar për mbijetesë, për interesin e vet, shumë-shumë të shtëpisë e të familjes së vet, solidariteti nga ndihmës për bashkëjetesë, bëhet pengesë, në mos një djerakotë. “Të tjerëve zjarri le t’u bjerë, mjaft që unë të jem mirë”. Kjo është mendësia që sundon e drejton pak a shumë. Dhe arsyeja e vetme është se shoqëria të ofron pak, ose aspak, solidaritet. Ca më pak besim e mirëkuptim të ndërsjellë. Në vend që të ishim afruar e lidhur më shumë me njëri-tjetrin, të jetonim në paqe e harmoni, larg luftës së klasave, habitërisht në këtë demokraci deledash ndjehemi të larguar e të tëhuajtëzuar, për të mos thënë të hasmosur edhe me shtetin, me pushtetet, me vendin, me mjedisin, me shoqërinë, pse jo, edhe me familjen.
Arsyet e rrënimit të solidaritetit, të këtij kushti themeltar e primar për një shoqëri të paqme e demokratike janë të shumta. Janë edhe historike. Vijmë prej trashëgimisë e mënyrës së jetesës në dikurshmëri, nga ajo që quhet parashoqëri. Por më së shumti mungesa e solidaritetit buron nga politikëbërja, që do thotë se shkaqet e jo sebepet janë pjesë e mënyrës se si është sendërtuar e po ngjizet morali shoqëror, bashkëjetesa në komunitet, sistemi demokratik, të cilët prej një çerek shekulli gjenden nën trysninë e shembujve të papërballueshëm dhe agresivë të makutërisë, pabarazisë, hajdutërisë, padrejtësisë e dyfytyrësisë që injekton përditë sherr-politika.
Jetojmë në shoqëri, por jemi të pashoqërizuar. Quhemi qenie sociale, por pa dhuruar solidaritet të ndërsjellë. Kemi aq shumë parti, por ndjehemi më të përçarë se kurrë. Kemi kisha e xhami, por bamirësia shkon deri te kufijtë e lëmoshës e të supersticionit. Solidariteti vlerësohet vetëm kur bëhet “asfalt elektoral”, apo “një thes me miell për një votë”, që na dhurohet me bollëk nga propaganda zgjedhore e partive, herë si silazh, herë si butafori posterash dhe fasadash. Më pas, në përditshmëri, solidariteti humb si kripa në ujë, apo si të pshurrurrit që bëjnë udhëheqësit në detin e fjalëve dhe të premtimeve, solidaritet që qytetarët shpresojnë ta gjejnë në gjellë, me gjasë, nesër, pas zbatimit me sukses të reformave të premtuara… Avazi i vjetër pjell avazin e ri: “Dhentë e dhitë e  Zeres, nami i Hasan Qerres”…
***
Një deputet i majtë i një partie të majtë, që solidaritetin lipset ta ketë kryefjalë, deklaroi në “Facebook” se solidariteti nuk e luftoka varfërinë dhe papunësinë (ndoshta e pandeh solidaritetin si lëmoshë…), por vetëm reformat radikale të ndërmarra nga qeveria. Ndoshta ai nuk e di që në të gjithë botën demokratike, jo vetëm të majtët, po edhe të djathtët, solidaritetin e kanë detyrim moral, filozofi vepruese, pa të cilën politika nuk do të kishte asnjë vlerë. Nuk e përdorin solidaritetin si maskë e si demagogji, as si një rondele, as si grep elektoral, por si mjetin rregullator më dobiprurës të bashkëjetesës. Jo se janë kristianë, por se janë qytetarë e politikanë të ndërgjegjshëm e të përgjegjshëm. Niveli i solidaritetit në vendet e ulëta është në kulm. Ndaj në to ka më pak krime e padrejtësi sociale.
Ka gjasë që deputeti në fjalë e quan solidaritetin mbetje atavike të diktaturës. Sipas Fjalorit të Gjuhës Shqipe “Solidarësi”: (është) Lidhja midis njerëzve ose grupeve që kanë qëllime e interesa të përbashkëta dhe që ndihmojnë njëri-tjetrin, shprehja e përkrahjes për qëllimet dhe veprimet e dikujt, me të cilin jemi të një mendjeje”. E pra, a mund të ketë organizim e funksionim normal të OJF-ve, të partive e të qytetarëve me të zgjedhurit e vet, me qeverinë dhe institucionet shtetërore pa këtë lidhje organike, pa ka këtë çimento që lidh murin dhe themelin e shoqërisë e quhet solidarësi?
Ishte solidariteti i kapitalizmit me fytyrë humane një nga arsyet përse u fitua Lufta e Ftohtë ndaj komunizmit. Vetëm në shoqëritë totalitare solidariteti kthehet në dogmë false, së cilës nuk i beson kush. Efektet negative, luftërat dhe përplasjet sociale që nisën me çartizmin dhe  revolucionet, – që lindën si reagim ndaj kapitalizmit të egër në shek. XVIII, XIX – u zbutën dhe u shuan nëpërmjet zbatimit të filozofisë së solidaritetit dhe humanitetit, parime mbi të cilat u ngrit Evropa e Bashkuar. Ne jemi larg kësaj fryme, madje ka përpjekje për të skualifikuar solidaritetin, si një teshë të dalë nga moda.
Profesor Çabej thotë në një studim se ka një dallim thelbësor mes popullsisë rurale që këndon me monofoni dhe atyre që këndojnë me polifoni. Të parët janë në fazën e marrëdhënieve fisnore, pasi jetojnë të vetmuar (për këtë shkak shtëpitë i ndërtojnë sa më larg njëri-tjetrit), kurse të dytët, ata që këndojnë në polifoni (me tri zëra: njëri ia merr, tjetri ia pret dhe gjindja u mban iso…), – tregon se jetojnë në komunitet, në një shoqëri më të avancuar e më të harmonizuar, ku i pari ia merr, ekipi ia prêt dhe populli mban iso… Kjo diferencë e trashëguar në mënyrën e jetesës e në mendësi ka shekuj hendek: të parët jetojnë në shoqëri parafeudale, fisnore; të dytët në feudalizëm dhe kapitalizëm. Fatkeqësisht ne na kanë qeverisur ata që këndojnë në monofoni, ata që u pëlqen të ligjërojnë të vetëm në pyllin e politikës, ata që kënaqen me zërin e vet (edhe kur nuk i dëgjon kush, përveç kafshëve). Këta fajtorë pa faj nuk e dinë se reformat, sado radikale, pa solidaritet janë mizore, të padobishme e, pse jo, edhe të dëmshme. Se, edhe kur thuhet se dolën me sukses, ato shumë-shumë do të ilustrojnë përbukuri shprehjen: “Operacioni doli me sukses, por pacienti vdiq”.
Ky radikalitet nuk i përkrah politikat solidare, nuk u jep ndihmë atyre që kanë më shumë nevojë. “Nuk është justifikim varfëria për të mos paguar faturat e energjisë elektrike”, tha kryeministri. Si mund të jetë varfëria justifikim? Ç’ndryshoi në jetën e romëve kur një ministër mori në krahë edhe çoi në spital një fëmijë të sëmurë? Përballë pabarazisë jemi të gjithë të barabartë. Por nuk jemi të barabartë para ligjit. Në këtë klimë mosbesimi të ndërsjellë qytetar-shtet, për shkak të mungesës së theksuar e dramatike të politikave solidare, nuk ka si të ketë mirëkuptim, siguri e paqe sociale, donacione e financime të ndërkombëtarëve, sponsorizime dhe investime për interesin e përbashkët, pa përfitim e superfitim të zyrtarit që e jep “firmën”. Mungesa e solidaritetit të shtetit ndaj qytetarëve bën të ketë aq shumë kërkesa për azil, për ikje, ikje, ikje sa më parë nga vendi. Prandaj edhe pse ambasadorët e BE-së deklarojnë se nuk do të pranojnë refugjatë, ikjet masive vazhdojnë ngaqë shqiptarët, me sa duket,  kanë më shumë besim te solidariteti i Gjermanisë, se i shtetit të vet.
***
Dikur emigrantët mblidhnin kursimet e tyre dhe i dërgonin për të ndërtuar një rrugë, një shkollë, një çezmë apo edhe kanalizimet e fshatit… Tani mjafton të shohësh një pamje nga liqeni i Fierzës, për të kuptuar se si sillemi ne me mjedisin. Sot, njëlloj si në diktaturë, të gjitha “beneficet” i presim nga shteti në mos si dhuratë, si shpërblim. Plehrat jo vetëm i hedhim nga dritarja, por në pallatin tim kam parë t’i lenë edhe në ashensor. Për kanalizimet dhe hidrovoret kujtohemi kur na përmbyten tokat, bagëtitë e shtëpitë; atëherë thërresim: Ku është shteti? Ç’po bën qeveria? A është shteti solidar me qytetarin, po aq sa ç’është me biznesmenët, me të pasurit, n’daç edhe me ndërkombëtarët dhe kompanitë e tyre?
Më së pari solidaritetin duhet t’a ngjallim te vetja, paçka se ashtu si prodhimet e vendit, bujqësore e blektorale, nuk u nënshtrohen politikave proteksioniste, edhe qytetarët janë të pambrojtur ndaj sëmundjeve morale që vijnë nga jashtë. Po solidariteti nuk falet, as nuk importohet, as nuk ngjitet, si gripi, nga një popull te tjetri. Në këto 25 vjet ne shqiptarët kemi marrë më shumë solidaritet se ç’kemi dhënë. Kjo është e vërtetë. Nëse qeveritë tona kanë qenë pak, ose aspak solidare me qytetarët e vet, këtë nuk mund ta themi për evropianët, të cilët na janë gjendur pranë në ditë tejet të vështira. Solidariteti i tyre na nxori nga kriza e bukës në ‘90-ën, nga pragu i luftës civile në ‘97-ën dhe nga kriza e Kosovës.    
Solidaritetin e popujve të Evropës nuk e kemi shpërdoruar ne qytetarët, edhe kur bëjnë krime ndaj atyre që i kanë mirëpritur si refugjatë, aq sa qeveritë tona. ”Ata lart” solidaritetin e ndërkombëtarëve e kanë konvertuar në mall, në influencë, duke e blerë ndikimin e tyre, si psh. duke ua shitur detin grekëve, qiellin gjermanëve, ÇEZ-in çekëve, naftën kanadezëve, me kontrata skandaloze, pa përfillur interesin kombëtar, duke i detyruar shqiptarët të paguajnë më shtrenjtë naftën e biletat e avionëve se të gjithë gjitonët në Ballkan… Nuk e blejnë solidaritetin për popullin, por për vete, për të mbetur sa më gjatë në pushtet. Andaj, për ç’solidaritet mund të flitet ndaj banorëve të Marinzës, teksa edhe uji, edhe qumështi i bagëtive po del i kontaminuar? Ç’solidaritet është treguar këto kohë ndaj minatorëve, madje edhe fëmijëve, që vriten si skllevër në Bulqizë? Ç’solidaritet dëshmohet për fëmijët e familjet e ngujuara? Solidariteti ka vdekur jo vetëm te pasunarët dhe zengjinët e sotëm, por te mënyra se si po qeveriset ky vend. Edhe kur u zbulua se kompanitë e naftës abuzonin me naftën, kryeministri doli e tha se ‘nuk mund të penalizojmë kompanitë e t’i themi me emër cilat janë, se kësisoj do të dëmtohet sipërmarrja’, gjë që do të thotë: le të dëmtohen qytetarët! Kështu u veprua edhe me shitjen e ÇEZ-it çekëve… Këta shembuj mjaftojnë, besoj, për të kuptuar se përfaqësuesit tanë të lartë nuk janë solidarë dhe mbrojtës të interesave të qytetarëve të tyre, por të kompanive të huaja. Është kjo shtinjakësi që e ka vdirur dhe i ka  hequr kuptimin ndjenjës së solidaritetit.
***
Tani na duket më se normale të jemi në një shoqëri të pabarabartë, ku secili punon e mendon për vete, ndërsa Zoti (jo qeveria dhe të zgjedhurit) le të vrasë mendjen për të gjithë. Sot nuk jemi të barabartë në mirëqenie, në ndarje të pasurisë kombëtare, në vlera, në merita, në të drejta dhe qejfe, e, mbi të gjitha, përballë detyrimit që solidariteti të mos japë shpirt, së paku, brenda familjes. Tash bën vaki që evlati të shëtisë me ‘Hammer’ nëpër Bllok, vajza të harliset Pab-eve, ndërsa prindërit të vdesin për një kothere bukë. Sot duket e zakonshme që fëmijët të detyrojnë prindërit të shesin tokën e të blejnë një makinë, një llotosport, të kenë drogë e uiski e femra përnatë në disko… Para ca ditësh mjekët e urgjencës të Korçës hodhën në kanal një të sëmurë, se paskësh qenë i dehur, kurse një vëlla goditi vëllanë e vet me sëpatë…. Sa shumë shembuj të tillë negativë ka përditë!
Mungesa e solidaritetit brenda genit familjar është më vështirë të kurohet se ajo jashtë familjes, në rrugë. Humbja e solidaritetit brenda familjes është fundi i rrënimit të çdo shoqërie. Kur familja prodhon në përditshmëri ndasi, grindje, sherre, vrasje dhe konfliktulitet të pasosur, dukuri që vihen re në cilindo edicion lajmesh, atëherë situata bëhet e pashpresë, e pamundur për të ndërhyrë jo më me programe qeverish e OJF-ërash, me polici e gjykata, me premtime partish e ligjërata liderësh, por as me Kuran e me Bibël. Kush e gjymton solidaritetin deri në këtë derexhè, ka dënuar me vdekje bashkëjetesën, kombin, familjen, besimin dhe shpresën.  
Ky është dëmi më i madh që i është bërë kombit.

(d.d/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: