PODGORICE- Policia në Mal të Zi të shtunën mbrëma ka përdorur gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën e rreth 5 mijë protestuesve të cilët marshuan në drejtim të parlamentit me kërkesën për dorëheqje të kryeministrit Milo Gjukanoviç.
Tubimi nisi qetë, por tensionet nisën derisa demonstruesit, që po bënin thirrje për një qeveri të re të përkohshme dhe për zgjedhje të reja, mësynë ndërtesën e parlamentit e cila ishte rrethuar nga policia.
Opozita malazeze i kishte dhënë ultimatum kryeministrit Milo Gjukanoviç ditën e sotme për të pranuar një qeveri teknike, por refuzimi i tij ka sjellë manifestimin.
Milan Knezeviç, zyrtar i lartë i Frontit Demokratik, që po iu prin protestave, ka thënë se vendi është në një pikë kthese historike.
“Porosia jonë ndaj Milo Gjukanoviqit është… t’iu përgjigjet fjalimeve tona demokratike dhe të pranojë krijimin e një qeverie të përkohshme dhe të organizojë zgjedhjet e para të drejta dhe të ndershme”, ka thënë Knezeviq para turmës, raporton “Reuters”.
Protestat në këtë vend morën jetë pak ditë më parë dhe degraduan në përleshje të dhunshme mes manifestuesve dhe forcave të rendit.
Opozita ka deklaruar se, protesta e saj bëhet kundër pushtetit dhjetëravjeçar të Gjukanoviçit, por qeveria akuzon se protestat janë të nxitura nga jashtë Malit të Zi, për të destabilizuar vendin në prag të marrjes së ftesës për anëtarësim në NATO.
Madje, qeveria malazeze thotë se në këtë çështje ka ndërhyrë Moska, e cila kërkon rritjen e ndikimit të saj në Ballkan.
(el.sp/BalkanWeb)