E ftuar në emisionin “Alert” në News24 nga Granit Sokolaj, Flonja Allgjata teknologe ushqimore ka folur për materialet e paketimit që ndikojnë në kontaminimin e ushqimit dhe problematikat e vlerësimit të riskut nga autoritetet jo vetëm në Shqipëri, por edhe jashtë.

“Një nga faktorët kryesorë që ndikon në cilësinë materialeve në kontakt me ushqimin është konkurrenca. Ka plot kompani në treg që ofrojnë lloje materialesh të ndryshme. Nga ana tjetër përpunuesit e ushqimit përpiqen të zgjedhin opsionin më të mirë për produktin e tyre, jo vetëm për të ruajtur cilësinë, por edhe ti shtojë vlera produktit. Përsa i përket materialeve që kanë kontakt me ushqimin, në varësi të paketimit që prodhuesi zgjedh dhe në varësi të problematikave që do të shmangë në lidhje me produktin ushqimor zgjedh dhe ambalazhin. Ambalazhi mund të jetë plastikë, qelq, metal, qeramikë, letër. Specifikat për të gjitha ambalazhet sjellin dhe problematikat e tyre. Dihet se qelqi është ambalazhi më i mirë për mbajtjen e lengjeve apo ushqimit. Për plastikën është ngritur shqetësim sidomos në botë, se si ta bëjmë plastikën sa më eficente në ambalazhin e ushqimit, duke qenë se në shumicën e rasteve ka dhe kosto për bizneset. Ne thamë se ka problematika në vlerësimin e riskut nga autoritetet në Shqipëri, ama në të gjithë botën ka probleme të tilla. Në Kongresin Amerikan u ngrit shqetësim për ambalazhimin e ujit, ku gjatë 2 viteve, nga 2013-2015 rezultoi se rreth 6 milion rezidentë amerikanë kishin konsumuar ujë të kontaminuar. Këto janë shifra të frikshme sidomos për FDA. Për produktet e importit, dilema më e madhe e bizneseve në botë është nëse duhet të riskojnë më shumë tek mbrojtja e produktit apo menaxhimi i kostove. Duke qenë se bizneset po përpiqen të gjejnë material të riciklueshëm, pjesa më e madhe e importuesve janë kompani që sjellin me vete certifikatë konformiteti në lidhje me ambalazhin, pavarësisht se marrim produktin përfundimtar të përfshirë me ambalazhin. Ndërsa, produktet për fëmijë kanë dosje më vete, specifikimin e ambalazhit për çdo produkt, testet që kalojnë”-deklaroi Flonja Allgjata.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb