Izraeli po negocion me Arabinë Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA) dhe Bahreinin për të formuar një aleancë katërpalëshe të mbrojtjes, tha një televizion izraelit.

Kanali I24News raportoi se Izraeli ka nisur bisedimet me Arabinë Saudite, EBA-në dhe Bahreinin për të krijuar një mbrojtje katërpalëshe kundër “kërcënimit iranian në rritje në rajon”.

Një zyrtar izraelit, i cili ka folur për kanalin dhe ka kërkuar të mbetet anonim, nuk ka dashur ta komentojnë lajmin, por ka thënë se administrata e Tel Avivit po punon për të përmirësuar marrëdhëniet me vendet arabe.

Asnjë detaj nuk u dha mbi atë se si Izraeli po i zhvillon negociatat me Arabinë Saudite, me të cilën nuk ka marrëdhënie diplomatike sikurse me EBA-në dhe Bahreinin, me të cilët i normalizoi raportet vitin e kaluar.

Lajmi se Izraeli po negocion me Arabinë Saudite, EBA-në dhe Bahreinin për të krijuar një aleancë mbrojtëse katërpalëshe vjen pasi administrata e Presidentit të SHBA-së Joe Biden sinjalizoi një kthim në marrëveshjen bërthamore me Iranin të nënshkruar në vitin 2015, nga e cila ish-presidenti Donald Trump u tërhoq në vitin 2018.

Izraeli nënshkroi një marrëveshje me EBA-në dhe Bahreinin për të normalizuar marrëdhëniet nëpërmjet një ceremonie të mbajtur në Shtëpinë e Bardhë më 15 shtator 2020.//AA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb