Ekipi i Radios Evropa e Lirë në Zubin Potok e ka konfirmuar se në këtë komunë ka përfunduar protesta e serbëve lokalë, të cilët ishin grumbulluar para objektit të komunës qysh nga orët e hershme të mëngjesit.

Ndërkohë, protestat po vazhdojnë në Leposaviq dhe në Zveçan, edhe pse te kjo e fundit protestuesit janë larguar nga rruga shkaku i reshjeve të shiut.

Protestat në këto komuna në veri të Kosovës – zonë e banuar me shumicë serbe – filluan më 26 maj, kur grupe të serbëve lokalë u grumbulluan para objekteve komunale për të protestuar kundër hyrjes së kryetarëve të rinj shqiptarë të Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit në to.

Zgjedhjet në katër komunat në veri, të banuara me shumicë serbe u mbajtën më 23 prill pas dorëheqjes së kryetarëve nga radhët e Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve të Kosovës – në nëntor të vitit të kaluar.

Zgjedhjet u bojkotuan nga popullata shumicë serbe në atë zonë, që tani nuk i pranon kryetarët e rinj.

Situatë më e tensionuar gjatë këtyre ditëve është raportuar në Zveçan, ku 30 ushtarë të KFOR-it mbetën të lënduar më 29 maj pas përleshjeve me protestuesit.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ka mbrojtur veprimet e Policisë së Kosovës, e cila ndihmoi instalimin e kryetarëve të rinj shqiptarë në komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës, përkundër rezistencës së banorëve lokalë.

Por, Shtetet e Bashkuara dhe aleatët kanë thënë se përdorimi i forcës minon përpjekjet për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi dhe kanë bërë thirrje për qetësim të situatës./rel/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb