Presidenti amerikan Joe Biden dhe ai kinez, Xi Jinping janë takuar në një vilë luksoze në San Francisko.

Kreu i Shtëpisë së Bardhë e ka nisur takimin me një fjalim të shkurtër, por me një mesazh të rëndësishëm duke thënë se “tensionet nuk duhet të kalohen në konflikte”, shkruan BBC.

“Ne e kemi njohur njëri-tjetrin për një kohë të gjatë, takimet tona kanë qenë gjithmonë të sinqerta, të drejtpërdrejta dhe të dobishme. Unë mendoj se është parësore që ju dhe unë të kuptojmë njëri-tjetrin qartë, nga lideri tek lideri.” Më tej Biden shton se “ne duhet të sigurojmë që tensionet dhe konkurrenca të mos kalojë në konflikt”.

Sakaq ai përmendi se hera e fundit që të dy u takuan ishte në samitin e G-20 në Bali, Indonezi dhe ai theksoi rëndësinë e takimit “ballë për ballë”. “Ne e kemi njohur njëri-tjetrin për një kohë të gjatë,” tha Biden. “Ne nuk kemi qenë gjithmonë dakord… Unë i kam parë gjithmonë diskutimet tona të drejtpërdrejta dhe të sinqerta.”

Ndërsa presidenti kinez Xi Jinping e nisi fjalimin e tij duke kujtuar takimin e fundit me presidentin amerikan. “Shumë kanë ndodhur që atëherë,” thotë ai. “Bota ka dalë nga pandemia Covid-19, por është ende nën ndikimet e saj të jashtëzakonshme”.

Ai përmend probleme të tjera me të cilat përballet ekonomia globale, duke përfshirë çështjet e zinxhirit të furnizimit dhe proteksionizmin, ndërsa shton se raporti Kinë-SHBA, “është marrëdhënia dypalëshe më e rëndësishme në botë”. “Ajo duhet të zhvillohet në një mënyrë që të përfitojë dy popujt tanë dhe të përmbushë përgjegjësinë tonë për përparimin njerëzor. Përballja ka pasoja të padurueshme për të dyja palët,” thotë Xi.

Presidenti kinez e mbyll duke thënë se beson se të dy palët janë të afta të kalojnë dallimet e tyre dhe të krijojnë një të ardhme premtuese. “Mezi pres që të kem një shkëmbim të thellë pikëpamjesh dhe të arrij mirëkuptime të reja”, thotë ai.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb