TIRANË

Kur mbeten pak më shumë se një muaj nga zgjedhjet parlamentar të 25 Prillit, kreu i Prezencës së OSBE-së në Tiranë Vincenzo Del Monaco, thotë se është e panevojshëm përshkallëzim të tensioneve mes palëve. Në intervitën dhënë për “News24”, ai vë theksin tek programet të partive, pasi sfidat e Shqipërisë janë të mëdha

“Ai që është më i rëndësishëm është thelbi, është përmbajtja e programeve politike, pasi Shqipëria do të ketë një sërë sfidash që do të duhet të trajtohen edhe në të ardhmen. Mendoj se tensionet politike janë mjaftueshëm të larta dhe nuk ka nevojë për përshkallëzim të mëtejshëm.”

Vëzhguesit e OSBE/ODIHR, thotë Del Monaco do t’i kushtjnë një vëmendje të posaçme fenomentit të shit-blerjes së votës në zgjedhjet e 25 Prillit.

“Në këtë kuadër, ka edhe dispozita të tjera të rëndësishme: është rritur roli i policisë në zgjedhje, përfshirë edhe pranë qendrave të votimit; veprimtaritë në qendrat e votimit do të mbikëqyren me kamera; SPAK-u do të ketë rolin e tij. Patjetër që këto fenomene do të jenë në fokus të vëzhguesve të ODIHR-it. Në fakt, ODIHR-i ka theksuar në mënyrë të përsëritur rëndësinë e hetimit dhe të ndjekjes ligjore të shpejtë të pretendime të mundshme për manipulime apo për shitblerje të votave. Vetë Prezenca dhe OSBE-ja vijojnë të vëzhgojnë nga afër disa prej zhvillimeve që kanë të bëjnë me çështjet gjyqësore. Po përmend vetëm një prej tyre, atë që po zhvillohet në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Dibër”

Prezenca e OSBE-së ka dhënë kontribut të veçantë edhe në reformën në drejtësi. I pyetur mbi zbatimin e saj, Del Monaco thotë se mbetet një person entuziast, por racional.

“Unë jam një entuziast racional, që do të thotë se jam entuziast, por me këmbë në tokë. Shqipëria ka pasur disa arritje dhe rezultate të rëndësishme kohët e fundit. Të gjithë gëzuam në mënyrë të zëshme për kthimin në funksionim të Gjykatës Kushtetuese. Tani është koha të jemi të përqendruar te hapat e radhës: te Gjykata e Lartë, të funksionimi dhe tek efikasiteti i makinerisë së gjyqësorit”

Intervista e plotë:

Z. Ambasador, ju prej pak muajsh ndodheni në Shqipëri, por besoj se keni mësuar mbi shumëçka ndodh këtu në vendin tonë. Opinioni publik shqiptar është i interesuar për konstatimet e faktorit ndërkombëtar, pasi e konsideron atë si një arbitër. Si e gjykoni ju sjelljen e klasës politike në këtë periudhë?

Ambasadori Del Monaco: Së pari, dëshiroj t’ju falënderoj që shprehni interes për mendimin dhe për analizën time. Në fakt nuk e shoh veten si arbitër, e aq më pak si protagonist. Lejomëni të nënvizoj se shqiptarët, qytetarët shqiptarë, janë protagonistët dhe arbitrat në vendin e tyre. Unë i nxis fuqishëm që të shkojnë të votojnë më 25 prill, sepse me anë të zgjedhjeve të 25 prillit qytetarët do të ushtrojnë të drejtën e tyre themelore kushtetuese. Veten e shoh si vëzhgues aktiv dhe si partner të Shqipërisë, si partner të institucioneve shqiptare, nëpërmjet menysë së veprimtarive që zhvillon Prezenca e OSBE-së. Askush nuk mund ta mohojë se jeta politike në Shqipëri është e një shkalle shumë të lartë dinamizmi, jo domosdoshmërisht shumë të shëndetshëm, por, e përsëris u takon shqiptarëve të shprehin mendimin dhe gjykimin e tyre, më 25 prill.

Ambasador, 25 prilli i këtij viti është një ngjarje e rëndësishme, janë zgjedhjet parlamentare ku pikërisht aktorët politikë shqiptarë do të përplasin brirët, të themi. Si i shihni këto zgjedhje? A prisni një përshkallëzim të tensionit politik në vend, pasi palët duan me çdo kusht ose të qëndrojnë në pushtet, ose të marrin pushtetin?

Ambasadori Del Monaco: Zgjedhjet do të jenë një ngjarje shumë e rëndësishme. Këtë e kanë thënë në mënyrë të përsëritur të gjithë drejtuesit dhe forcat politike në vend. Ai që është më i rëndësishëm është thelbi, është përmbajtja e programeve politike, pasi Shqipëria do të ketë një sërë sfidash që do të duhet të trajtohen edhe në të ardhmen. Mendoj se tensionet politike janë mjaftueshëm të larta dhe nuk ka nevojë për përshkallëzim të mëtejshëm.

Ambasador, këto do jenë zgjedhjet më të kushtueshme në Shqipëri zoti Ambasador, pasi do të zbatohet identifikimi biometrik i zgjedhësve dhe, po ashtu, do të zhvillohet edhe një projekt pilot për votimin dhe numërimin elektronik. Sa mendoni ju që teknologjia do të ndihmojë për të arritur standardet në zgjedhje?

Ambasadori Del Monaco: Keni të drejtë. Këto do të jenë zgjedhje shumë të kushtueshme. Por mendoj se është një investim i mirë. Është investim për demokracinë. Padyshim që teknologjia mund të jetë veçanërisht e dobishme për të trajtuar disa prej mangësive të vërejtura në të shkuarën. Për shembull mund të ndihmojë në regjistrimin e zgjedhësve, në identifikimin e tyre, në shmangien e votimit familjar apo të votimit të shumëfishtë. Gjëja më e rëndësishme tani është që qytetarët, zgjedhësit, të jenë të mirinformuar për teknologjinë që do të përdoret në procesin zgjedhor, që qytetarët të dinë se si funksionojnë pajisjet e reja, se si mbrohet privatësia e zgjedhësve. Kjo është, gjithashtu, pjesë e fushatës së informimit në të cilën kontribuon edhe Prezenca e OSBE-së.

Shitblerja e votës ka zënë një vend të veçantë në raportin e OSBE/ODIHR-it për zgjedhjet parlamentare të vitit 2017. Mendoni se është bërë mjaftueshëm për ta adresuar dhe për ta luftuar këtë fenomen? Sa ky fenomen do të jetë në fokusin e vëzhguesve në zgjedhje?

Ambasadori Del Monaco: Ndryshimet e legjislacionit që u ndërmorën vjet janë vërtet shumë të rëndësishme: ndryshimet në Kodin Zgjedhor, ndryshimet në ligjet e tjera, përfshirë Kodin Penal. Siç e dini, këto ndryshime parashikojnë rregulla më të forta ndaj shitblerjes së votave. Për shembull, ndryshimet parashikojnë që kryetarët e secilës parti të paraqesin një deklaratë zyrtare në KQZ, ku zotohen që partia e tyre nuk do të përfshihet në veprimtari të paligjshme. Në këtë kuadër, ka edhe dispozita të tjera të rëndësishme: është rritur roli i policisë në zgjedhje, përfshirë edhe pranë qendrave të votimit; veprimtaritë në qendrat e votimit do të mbikëqyren me kamera; SPAK-u do të ketë rolin e tij. Patjetër që këto fenomene do të jenë në fokus të vëzhguesve të ODIHR-it. Në fakt, ODIHR-i ka theksuar në mënyrë të përsëritur rëndësinë e hetimit dhe të ndjekjes ligjore të shpejtë të pretendime të mundshme për manipulime apo për shitblerje të votave. Vetë Prezenca dhe OSBE-ja vijojnë të vëzhgojnë nga afër disa prej zhvillimeve që kanë të bëjnë me çështjet gjyqësore. Po përmend vetëm një prej tyre, atë që po zhvillohet në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Dibër.

Shqipëria, për të pastruar politikën nga persona të kriminalizuar, persona me të kaluar kriminale apo me lidhje me krimin, ka miratuar ligjin për dekriminalizimin, i cili ka dhënë disa rezultate. Mendoni se vetëm ligji është mjaftueshëm për ta pastruar politikën shqiptare nga këta individë? Mjafton vetëm ligji për të pasur lista kandidatësh për deputetë të pastra?

Ambasadori Del Monaco: Ky ligj është thelbësor dhe i një rëndësie madhore, por vetëm ligji nuk mjafton për të parandaluar shkeljet, as në Shqipëri e në asnjë vend tjetër në botë. Në fakt, ligji penal ekziston sepse përpara tij ka një ligj tjetër që mund të shkelet dhe ky është roli i ligjit penal dhe i sistemit gjyqësor. Sikurse kam pasur mundësinë ta them publikisht kohët e fundit, mendoj se nevojiten përpjekje të përbashkëta dhe të bashkërenduara të të gjitha palëve – të drejtuesve politikë, partive politike, institucioneve, KQZ-së, gjyqësorit, juve – medias, shoqërisë civile – për të mundësuar zbatimin e plotë të ligjit dhe minimizimin e rrezikut të shkeljeve. Dhjetorin e shkuar, Prezenca organizoi një veprimtari të posaçme për zbatimin e ligjit të dekriminalizimit me përfaqësues të forcave politike dhe të institucioneve, dhe mendoj se rezultati kryesor i saj ishte konsensusi i njëzëshëm për rëndësinë e listave të kandidatëve të pastra.

Zoti Ambasador, politika shqiptare ka rënë dakord që zgjedhjet e 25 prillit të administrohen përsëri nga përfaqësues të partive politike, për shkak të klimës së mosbesimit mes tyre. Kur mendoni ju se Shqipëri do të mund të ketë administrues zgjedhor jopolitikë dhe çfarë kushtesh duhen plotësuar për të pasur depolitizim të administratës zgjedhore?

Ambasadori Del Monaco: Mendoj se kjo çështje është zgjidhur tashmë në kuadër të marrëveshjes së 5 qershorit. Zgjidhja e rënë dakord nga të gjitha forcat politike është që zgjedhjet e tjera të përgjithshme, ato të vitit 2025, të administrohen nga komisionerë të pavarur, pra do të ketë depolitizim të plotë të procesit zgjedhor. Tani për tani, kemi sistemin ekzistues. E rëndësishme është që komisionerët të vijojnë të punojnë në mënyrë profesionale dhe të paanshme. Përfitoj nga kjo mundësi për të shtuar se edhe ODIHR-i ka theksuar rëndësinë jo vetëm të të pasurit të një procesi zgjedhor të depolitizuar, por edhe të një administrate publike të depolitizuar. Kjo do të krijonte një bazë fantastike edhe për pasjen e një procesi zgjedhor plotësisht të depolitizuar.

Ambasador, eksperienca tregon se rezultati i zgjedhje këtu në Shqipëri vonon shumë, pasi edhe procesi numërimit të votave është një maratonë e vërtetë. Çfarë sugjeroni ju që rezultati të dalë më shpejt? Ndoshta numërimi i votave të kryhet në Qendrat e Votimit? Mund të jetë kjo një zgjidhje?

Ambasadori Del Monaco: Mendoj se ky është vendim që duhet të merret nga politikanët shqiptarë. Di që në të shkuarën Shqipëria ka pasur sistem numërimi të decentralizuar dhe pastaj është marrë vendimi për ta centralizuar, si pasojë e disa parregullsive të pretenduara. Pra, për këtë vendim ka argumente pro dhe kundër dhe ai u takon vetëm forcave politike. Kësaj radhe kemi risinë e votimit preferencial dhe kjo do të çojë në proces të zgjatur numërimi, pasi së pari komisionerët do të numërojnë votat e partive dhe pastaj do të vijojnë me numërimin e votave individuale. Mendoj se është shumë e rëndësishme që KQZ-ja të krijojë një infrastrukturë dhe kornizë logjistike shumë të qartë dhe të shpejtë. Po ashtu, është e rëndësishme të ketë bashkëpunim të plotë nga ana e përfaqësuesve të forcave politike dhe të vetë kandidatëve ditën e zgjedhjeve, pasi konteksti në të cilin do të numëroren votat do të jetë shumë i rëndësishëm për të përcaktuar shpejtësinë e tërë procesit.

Politika shqiptare ka debatuar shumë edhe për sa i përket votës së shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit. Si mendoni ju, sa e mundshme është vota e këtyre shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit më 25 prill?

Ambasadori Del Monaco: Të gjithë e kemi parë në lajme para disa ditësh se çfarë tha z. Celibashi dhe, me sa kuptoj, është veçanërisht e vështirë që votimi nga jashtë vendit të testohet në këto zgjedhje.

Zoti Ambasador, Shqipëria ka edhe probleme të tjera, sigurisht procesi zgjedhor ka një peshë të rëndësishme në këtë moment. Ndër të tjerat mbetet edhe situata në media. Ekzekutivi shqiptar ka hartuar një projektligj për rregullimin e mediave, por që është kundërshtuar nga zyra e OSBE-së për mediat. Një koment tuajin?

Ambasador Del Monaco: Mendoj se tani duhet të rrimë të përqendruar te përgatitjet e zgjedhjeve të përgjithshme në Shqipëri. Thënë kjo, media është një tjetër temë themelore dhe, siç e dini, nuk ka ndonjë mister pasi mendimet dhe deklaratat si të OSBE-së dhe të Përfaqësuesit të OSBE-së për Lirinë e Medias janë bërë publike; është shumë transparente. Fakti që projektligji për mediat është ende në pritje në Kuvend ofron një mundësi të pamasë për ta përmirësuar.

Ambasador, Prezenca e OSBE-së këtu në Shqipëri ka dhënë një ndihmë të veçantë edhe për sa i përket miratimit të reformës në drejtësi këtu në vendin tonë. Ju si mendoni, duhet të jemi entuziastë për rezultatet, për ecurinë e reformës në drejtësi deri tani apo duhet të qëndrojmë me këmbë në tokë, pasi jo gjithçka që shndrin është flori.

Ambasadori Del Monaco: Unë jam një entuziast racional, që do të thotë se jam entuziast, por me këmbë në tokë. Shqipëria ka pasur disa arritje dhe rezultate të rëndësishme kohët e fundit. Të gjithë gëzuam në mënyrë të zëshme për kthimin në funksionim të Gjykatës Kushtetuese. Tani është koha të jemi të përqendruar te hapat e radhës: te Gjykata e Lartë, të funksionimi dhe tek efikasiteti i makinerisë së gjyqësorit.

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb