GJIROKASTER– Gjykata e Shkallës së Parë në Gjirokastër ka vendosur të lërë në burg Lulzim Kullën i njohur si i ‘forti’ i Shkodrës. Ai u arrestua pak ditë më parë në Kakavijë, pasi tentoi që të kalonte në Greqi me një pasaportë të falsifikuar.

Lulzim Kulla rezulton se në korrik të vitit 2014 është pajisur me një pasaportë me të dhëna të falsifikuara. 43-vjeçari ka aplikuar me shenjat e gishtërinjve dhe fotografinë e tij, por me emrin Alfons Deda, për pasaportë në Durrës, duke përdorur kështu identitetin e një personi tjetër. Pasi Kulla ka tërhequr pasaportën, nga verifikimet e kryera ka rezultuar se të dhënat e tij nuk përkojnë me identitetin e dhënë. Kulla u vu në qendër të vëmendjes së publikut në janar të këtij viti, kur u bë objekt i një atentati me tritol në qytetin e Shkodrës.

Rreth 500 gramë C4 u vendos në një motoçikletë të parkuar afër fuoristradës së tij, ndërsa shpërthimi i shkaktoi djegie në 25 për qind të trupit. Në atë kohë, Kulla deklaroi për Policinë se “nuk i njihte autorët dhe nuk kishte dyshime se kush mund ta kishte vendosur tritolin”. Ai njihet dhe për shkak të së kaluarës së tij, pasi emri i tij lidhet me disa ngjarje kriminale, por që në fund nuk është dënuar. 43-vjeçari ka pasur dalje të rralla, ndërsa tentoi të kalonte kufirin me identitet të rremë pa qenë në dijeni se prej 4 vitesh identiteti i vjedhur ishte pjesë e sistemit TIMS.

“I FORTI I SHKODRËS”

Kulla konsiderohet si kreu i një grupi kriminal, që prej vitesh nënshtron tregtarët në Shkodër duke u vendosur “tarifë” të përmuajshme për garantimin e objekteve tregtare. 43-vjeçari njihet si person i dhunshëm dhe se ka detyruar shumë biznesmenë që të mbyllin aktivitetin e tyre, madje shumë të tjerë edhe janë detyruar që të largohen nga qyteti i Shkodrës. Kulla akuzohet se ka marrë pjesë në torturimin deri në vdekje të një prej tregtarëve, që nuk i është bindur diktatit të tij. Bëhet fjalë për një tregtar që merrej me shitjen e gazit, për vdekjen e të cilit nuk pati asnjë autor.

shkoder-840x440

43-vjeçari është një nga të arrestuarit për kultivim kanabisi në zonën e Dukagjinit. Edhe pse konsiderohej si një prej organizatorëve për kultivimin e një sasie të madhe të bimëve narkotike, ai u la i lirë pas vetëm 6 muajsh. Në operacionin dyditor të gushtit 2016, u zbuluan mbi 40 parcela me kanabis me mbi 10 mijë rrënjë. Ndonëse Policia arrestoi shumë persona të akuzuar si organizatorë të kultivimit të bimëve, mes së cilëve ishte dhe Lulzim Kulla, shumë prej tyre u lanë të lirë për mungesë provash.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: