Në Komisionin për Shëndetësinë dhe Mirëqenien Sociale pati sot një debat lidhur me një udhëzim të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale për trajtimin hormonal të personave transgjinorë në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” (QSUT).
Deputeti i Partisë Demokratike, Tritan Shehu, e cilësoi udhëzimin të paligjshëm dhe kërkoi që çështja të trajtohet me urgjencë në Kuvend. Ai deklaroi se dokumenti ngre shqetësime serioze për mënyrën e zbatimit dhe pasojat e mundshme shëndetësore, duke kërkuar gjithashtu thirrjen e ministres për raportim.
Shehu përdori gjuhë të ashpër në qëndrimin e tij, duke e quajtur udhëzimin “skandaloz” dhe në kundërshtim me parimet mjekësore dhe shoqërore, ndërsa ngriti pikëpyetje mbi natyrën e trajtimeve dhe grupmoshat e përfshira.
Nga ana tjetër, deputeti i Partisë Socialiste, Eduard Shalsi, kundërshtoi kërkesën e opozitës për thirrjen e ministres, duke thënë se debati po mbështetet në interpretime të pasakta të dokumentit dhe se nuk ka vend për akuza politike në këtë çështje.
Edhe deputetja socialiste Klodiana Spahiu kërkoi që diskutimi të bazohet në argumente profesionale dhe jo në dezinformim. Ajo sqaroi se udhëzimi nuk parashikon trajtime për të mitur 14-vjeçarë, siç është pretenduar në debat, por synon vendosjen e standardeve mjekësore për trajtimet hormonale te personat mbi 18 vjeç, në përputhje me protokollet ndërkombëtare.
