Nga: MARIGLEN MËRTIRI
TIRANE – Tetë shkolla në qarkun e Vlorës dhe të Fierit ndodhen në pushtetin e ujit prej disa ditësh. Ndërsa në mjaft shkolla të tjera mësimi vijon, por jo normalisht, pasi mungon energjia apo edhe pikojnë çatitë. Raportime që vijnë në Ministrinë e Arsimit nga Shtabet e Emergjencës bëjnë me dije se në mjaft shkolla mungojnë edhe nxënësit, të cilët të trembur nga përmbytja nuk frekuentojnë mësimin. Zëvendës/ministrja e Arsimit Nora Malaj sqaron situatën në këto zona.

“Shkollat që nuk kanë bërë mësim sot janë shkollat Fitore dhe Bishan, që janë dy shkolla 9-vjeçare. Ndërsa në qarkun e Fierit shkollat e mesme e bashkuar Povelcë, komuna Dermenas nuk po zhvillon mësim pasi i gjithë objekti është nën ujë. Edhe shkolla 9-vjeçare Rreth Libofshë. Shkolla Bishan, Pishë, Ferras komuna Levan janë shkolla nën ujë të përmbytura, të cilat nuk mund të realizojnë dot procesin e mësimdhënies.”-deklaroi Malaj.
Mësohet se në shkollën Fitore në qarkun e Vlorës ujërat janë larguar, por ka mbetur llumë në një masë të konsiderueshme dhe po pastrohet nga mësuesit, të cilët sot janë paraqitur në vendin e punës. PO ashtu edhe shkolla e Bishanit është e rrethuar nga llumra ndërsa nyjet hidrosanitare janë të bllokuara. Në qarkun e Fierit, problematike është shkolla e mesme Povelce, e cila është nën ujë. Në shkollën 9-vjeçare Rreth Libofshë mungojnë shumë nxënës dhe në një klasë pikon çatia. Ndërkohë shkolla Bishan, Pishë, Ferras në komunën Levan janë të përmbytura.
Për shkak të përmbytjeve të shkollave, një problem i cili mbetet madhor por që është shfaqur sporadikisht në disa shkolla, është edhe dokumentacioni si regjistrat dhe numrat e amzës.
“Për shkollat që janë nën ujë kanë krijuar probleme me dokumentacionin dhe shumë shpejt do të marrim masat. Kemi ngritur një shtab emergjent për të bërë vendimmarrjen, në mënyrë që procesi mësimor të mos humbasë, amzat të mos humbasin dhe regjistrat të mos humbasin.”- deklaroi Malaj.
Por çfarë do të bëhet me fëmijët, të cilët kanë humbur orët mësimore dhe klasat e tyre janë jashtë përdorimit? Zonja Malaj e ka një përgjigje.
“Po bëjmë ndërkohë edhe një plan mësimor të reduktuar, në mënyrë që orët që nuk janë realizuar të ketë mundësi të plotësohet i plotë programi pasi është në të mirën e fëmijëve.”-u shpreh Malaj.
Situatë problematike mbetet edhe në veriun e vendit, ku disa shkolla në Kala të Dodës dhe në Vermosh kanë ndërprerë mësimin nga reshjet e dendura të dëborës.
(er.nu/news24/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: