Teuta ka humbur shkëlqimin në dy javët e fundit të kampionatit, ku nuk ka marrë asnjë pikë, por jo besimin për një mbyllje të denjë të sezonit. Pas fitores 1-2 në kryeqytet ndaj Tiranës, durrsakët pësuan dy humbje radhazi, fillimisht me Dinamon në “Air Albania” dhe pastaj me Laçin në “Niko Dovana”.

Një situatë që ka rikthyer alarmin e mbijetesës në Superiore, aq më tepër që tani ndeshjet vështirësohen më shumë. E tillë do të jetë edhe ajo e fundjavës me Skënderbeun, e parashikuar të luhet të shtunën, në orën 18:00, në Korçë. Teuta ka fituar dy ndeshje kundër Skënderbeut këtë sezon dhe kjo statistikë i jep besim për një tjetër rezultat pozitiv, edhe pse aktualisht kushtet ndryshojnë.

PËRGATITJET – Trajneri Edi Martini ka nisur dje javën anti-Skënderbeu, duke e ndarë grupin e lojtarëve në dy pjesë. Në stërvitje ka rënë në sy loja e fortë, pasi të gjithë duan të luajnë, ndërkohë që konkurrenca për formacionin është e ashpër. Nuk ka asnjë lojtar të dëmtuar apo të skualifikuar për ndeshjen e Korçës, ndërsa qëllimi i stafit teknik është që skuadra të shkojë në gjendjen e saj optimale në këtë transfertë. “Djemve të detit” u duhet patjetër të bëjnë kthesën për t’iu larguar vendit të 8-të, që të çon në “play off”.

Vlerësimi për kundërshtarin është maksimal, ndërkohë që te Teuta nuk priten ndryshime në formacion, në krahasim me ndeshjet e fundit. Një fitore e mundshme në transfertë me Skënderbeun do të bënte të harroheshin në një farë mënyre dy humbjet e fundit. Tashmë llogaritë bëhen me laps në dorë dhe çdo ndeshje është një mundësi e mirë për të përmirësuar pozitat në klasifikim.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb