VJENE– Shefi i diplomacisë së Kosovës, Hashim Thaçi, kërkon nga Serbia që t’i kërkojë falje për krimet e luftës gjatë viteve të ’90, paralajmëron padi për gjenocid dhe kritikon Beogradin.

Kritikat ndaj Beogradit i ka adresuar për shkak se nuk iu lejua vizita e planifikuar në kryeqytetin serb, citojnë mediet serbe deklaratën e Thaçit për “Standardin” e Vjenës.

“Do të ishte mirë sikur Serbia të merrte modelin e Afrikës Jugore dhe të kërkojë falje për krimet e luftës në Kosovë”, i ka thënë ai “Standardit”.

“Por ne jemi dëshmitarë se Serbia vazhdon të kundërshtojë të kërkojë falje. Prandaj na duhet të gjejmë rrugë ligjore për ta dokumentuar historinë dhe të gjejmë së paku një ngushëllim të vogël për familjet e anëtarëve të mbi dhjetë mijë njerëzve të vrarë dhe të 20 mijë grave të dhunuara”, citohet të ketë thënë Thaçi, i cili ka shtuar se po bisedon me aleatët dhe avokatët e vet për këtë çështje.

Kjo vetëkupton se po shqyrtohet mundësia se si të shtrohet kërkesa për të marrë informacione rreth asaj se “kush ishin vrasësit serbë më 1999”.

Rreth padisë së paralajmëruar kundër Serbisë për gjenocid, Thaçi pohon se për këtë ka disa mundësi, por qindra shqiptarë të Kosovës që jetojnë në ShBA e në Europë dëshirojnë të kërkojnë dëmshpërblim të luftës nga Serbia, transmeton “Koha.net”.

“Qeveria e atëhershme është përgjegjëse për shkatërrimin e 65 për qind të pasurisë private në Kosovë. Ka mundësi të thërrasim Tribunalin e Hagës për krime lufte”, është shprehur Thaçi.

Thaçi ka konfirmuar se Serbia ka një fletëarrest për të, ashtu siç ishte rasti me Havier Solanën, Tony Blair dhe Bill Clinton me akuza për terrorizëm dhe sulme ndaj Serbisë.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb