TIRANË

Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar disa herë kryebashkiakët gjatë takimit të sotëm në kryeministri se do të përballen me drejtësinë të vetëm nëse përzihen në afera korruptive.

Pak ditë pas arrestimit të kryebashkiakut të Lushnjës Fatos Tushe, i cili u përjashtua edhe nga PS, Rama iu kërkoi krerëve vendorë t’i vënë gishtin kokës dhe të kuptojnë se mandati i tretë kërkon përkushtim të trefishtë.

Ai paralajmëroi kryebashkiakët të mos përzihen me prokurimet publike, të mos luajnë me një zjarr që do bëhet gjithnjë e më përvëlues.

“Arsyeja e parë themelore pse ju thirra është që të gjithë pa përjashtim, troç, ti vini mirë gishtin kokës, të kuptoni në mish e në shpirt se mandati ynë i tretë kërkon një përkushtim të trefishtë ndaj popullit, seriozitet të trefishtë ndaj privilegjit për t’i shërbyer këtij populli, një vetëdijësim të trefishtë për domosdoshmërinë e trefishimit të nivelit të performancës qeverisëse të bashkive tona, të qeverisë tonë, të agjencive e të drejtorive të nivelit ekzekutiv.

Më ra në sy se pas takimit të djeshëm me drejtuesit e rinj vendorë të Policisë së Shtetit, disa ishin shprehur se unë qenkësha kujtuar vonë për të kërkuar një kurs me një shpejtësi të re të Policisë së Shtetit, në mbrojtjen e territorit nga ndërtimet pa leje dhe korrupsionit në polici që e shoqëron në çdo hap si hije atë veprimtari kriminale si dhe në luftën kundër kërkesës për ryshfet rrugëve nga ana e policëve që kanë rifilluar të shfaqen me avazin e vjetër të abuzimit të neveritshëm me drejtuesit e mjeteve. Por, kjo nuk është aspak e vërtetë, as unë nuk jam kujtuar vonë, as gjërat nuk janë njësoj siç ishin kur nisi ngritja e Policisë së Shtetit nga gërmadhat që e kishin e mbuluar në fillim të përpjekjes sonë transformuese. Progresi qoftë në garantimin e rendit publik dhe ligjshmërisë në territor nga policia qoftë në nivelin e qeverisjes vendore është i madh po të kthejmë kokën mbrapa.

Po të shohim majën ku duam të ngjitemi është absolutisht i pamjaftueshëm. Duke e mbyllur këtë parantezë, po kthehem tek arsyeja e parë, prokurimet publike. Kërkoj vëmendjen tuaj të plotë në këtë aspekt dhe uroj në reagimin tuaj sa të menjëhershëm, aq dhe të pandërprerë deri në fund të mandatit për të garantuar drejtësi, cilësi, transparencë dhe shpejtësi në prokurimet publike. Nuk po i hyj sot fakteve e shifrave që tregojnë se sa është përmirësuar sistemi dhe cilësia e  prokurimeve publike se nuk është ky qëllimi i kësaj mbledhjeje, por duke qenë se pakënaqësia është që nga dita e parë në jetën time publike dhe do jetë deri ditën time të fundit një konstante e punës së përditshme me veten, me ju, me qeverinë, me të gjitha institucionet e këtij shteti edhe për prokurimet publike kam kërkuar reformimin e mëtejshëm.

Sapo ka hyrë në fuqi paketa e re ligjore në fushën e prokurimet publike. Përmirëson ndjeshëm kuadrin rregullator. Paketa e re synon të rrisë integritetin dhe përgjegjshmërinë e të gjitha palëve të përfshira në këtë proces, qoftë autoriteteve kontraktore, qoftë operatorë ekonomikë. Ju ftoj të merrni sa më shpejt në laps ta studioni këtë paketë dhe të kërkoni nga strukturat tuaja për prokurimin të bëjnë të njëjtën gjë. Ju sugjeroj shumë dashamirësisht të mos përziheni me procesin e prokurimeve publik, të mos luani me një zjarr që do të bëhet gjithnjë e më përvëlues në kushtet kur drejtësia e re do ketë gjithë mbështetjen time dhe të PS kundër kujto prej jush ose kujtdo qoftë që do luajë me zjarrin”, deklaroi Rama.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb