Një film për Nënë Terezën ka çelur Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Tiranë. I realizuar nga një regjisore e Maqedonisë së Veriut, ai bart temën e festivalit mbi humanizmin e humanen
Tirana International Film Festival ka çelur zyrtarisht të hënën edicionin e 24-t, me temën “Bring it back! HUMANOGRAPHY”, e cila vendos në ekran jo vetëm filma, por edhe njerëzit, proceset dhe vendimet që qëndrojnë pas krijimit të tyre. Ceremonia e hapjes nisi me shfaqjen e filmit “Mother”, me regji të Teona Strugar Mitevskës, e cila u nderua gjithashtu me Çmimin e Nderit të festivalit. Filmi rrëfen një moment vendimtar në jetën e Nënë Terezës, në Kalkutë, në vitin 1948, ku besimi, ambicia dhe ndjenja e detyrës përplasen, duke e vendosur atë përballë një dileme të thellë personale.
Me një premierë në Festivalin e Venecias dhe vlerësim në Tokio, “Mother” sjell një portret intim dhe njerëzor të Nënë Terezës, njëkohësisht një prej figurave më të njohura të shekullit XX. Në ceremoninë e hapjes ishin të pranishëm grupi realizues i filmit. Edicioni i 24-t do të prezantojë 229 filma nga 71 vende, mes tyre 27 filma të gjatë dhe 202 filma të shkurtër. Të gjithë filmat janë premiera botërore, ndërkombëtare, rajonale ose kombëtare. Me temën “Bring it back! HUMANOGRAPHY”, ky edicion i TIFF synon të sjellë një vështrim më të thelluar mbi sfidat, proceset krijuese dhe vendimet që fshihen pas realizimit dhe zhvillimit të një filmi.
