Policia në Indi ka qëlluar për vdekje një tigër pasi vrau të paktën nëntë persona në Champaran të Indisë.

I quajtur “njeri-ngrënësi i Champaran”, kafsha u vra pas një gjuetie nga rreth 200 oficerë policie dhe zyrtarë të qarkut.

Tigri mashkull kishte terrorizuar komunitetet rreth Rezervatit të Tigrave Valmiki.

Operacioni u drejtua nga policia e Biharit, e cila rrethoi një fushë me kallam sheqeri pranë fshatit Sitaltola Baluwa për të vrarë tigrin tre-vjeçar të njohur si T-104.

Kumar Gupta, shefi kujdestar i kafshëve të egra për rajonin, tha për Times of India se tigri ishte identifikuar si “i rrezikshëm për jetët njerëzore”.

Drejtori i Valmiki Tiger Reserve, Nesamani K, tha se gjuetia përfundimtare për të gjetur T-104 kishte filluar të shtunën, menjëherë pasi u shfaqën lajmet se një nënë dhe fëmija i saj ishin vrarë nga një sulm tigri.

“Ishte një natë pa gjumë për të gjithë fshatin”, tha Paltu Mahato për Hindustan Times. “Ndërsa disa prej nesh vazhdonin të përplasnin gurë kundër njëri-tjetrit, të tjerët vazhdonin të rrihnin kontejnerë prej kallaji për të larguar tigrin.”

Përpjekjet për të qetësuar kafshën ishin të pasuksesshme dhe tigri tregoi një “mungesë të plotë frike” kur u rrethua nga ekipe, shtoi Gupta.

Dy ekipe, me dy elefantë, shkuan në pyll dhe një e treta ishte në gatishmëri nga ku autoritetet menduan se tigri do të dilte.

T-104 u qëllua në orën 15:15 me kohën lokale të së shtunës.

Kujdestari i kafshëve të egra në Bihar tha se nuk kishte asnjë informacion që sugjeronte se vrasjet e njerëzve ishin kryer nga një tigër tjetër.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb