Drejtori sportiv i Tiranës, Tefik Osmani ka thënë pas fitores 3-1 me Erzenin, se deklarata e pak ditëve më parë (Ai tha se bardheblutë tashmë e kanë fituar titullin) është keqkuptuar.

“Mendoj që deklarata ime pas shortit të Kupës është keqkuptuar. Unë kam thënë që si trajneri edhe stafi, edhe unë, kemi qejf që të fitojmë edhe Kupën, pasi kemi fituar deri më tani një kampionat dhe Superkupën. Më poshtë kam thënë që rivaliteti për titull do të jetë shumë i fortë.

Unë e kuptoj që disa gazetarë menaxherë, përfitojnë nga këto deklarata që të abuzojnë me lajmin. Siç ka thënë edhe kryeministri, kjo është një media kazan, llum. Janë dy gazetarë që më sulmojnë në portalet e tyre dhe duan të më largojnë nga puna. Por janë rezultatet ato që më mbajnë mua dhe stafin këtu.

Unë bëj batuta dhe në daljet e mia kam qenë i kujdesshëm dhe sa më i saktë. Nuk dua që të ofendoj asnjë rival, as Partizanin asnjë skuadër. Sot kemi marrë një fitore të rëndësishme. Dua të falënderoj lojtarët, pasi te Tirana është presioni i madh, por ne kemi arritur që të marrim tre pikë të rëndësishme.

Nuk dua të akuzoj asnjë gazetar, por gazetarë pranë klubit të Tiranës, kanë bërë edhe menaxherin. Dhe përmes portaleve të tyre mundohen të më sulmojnë. Mua më mbajnë në punë rezultatet dhe jo fjalët e portaleve” – tha ai.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: