Partizani dështoi me ekipin e parë në këtë sezon. Asnjë tur i kaluar në Europë, vetëm vendi i pestë në renditje dhe asnjë trofe tregojnë për zhgënjimin e madh në 80 vjetorin e klubit.

Akademia mund të kthehet në krenarinë e vetme të “demave”, duke shkruar historinë në klubin e kuq. Pasi ekipi U-19 fitoi titullin, nesër mund të bëjnë të njëjtën gjë edhe skuadrat e U-17 me U-18 duke e kthyer në një ditë të veçantë.

Të shtunën janë rezervuar dy finale. Fillimisht ekipi U-17 i drejtuar nga Algert Hurdha luan në transfertën e Vorës. Pikërisht te Fusha e Sportit Ahmetaq, mjafton vetëm një barazim për të siguruar trofeun. Sfida nis në orën 10:00.

Ekipi U-18 mund ta ketë më të vështirë, duke qenë se luan derbin ndaj Tiranës U-18. Në stadiumin “Arena e Demave”, ky takim do të nisë në orën 19:00. Vetëm fitorja e shpall kampion Partizanin e Aldo Duros, ndërsa çdo rezultat tjetër i jep trofeun bardhebluve në shtëpinë e rivalit të përjetshëm.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: