Tirana është kryefjalë e shumë mediave sportive evropiane prej finales së Conference League, e para e kompeticionit më të ri të UEFA-s. Por kjo e fundit ka paralajmëruar dy klubet, Romën dhe Fejnordin, për tifozët e tyre.

UEFA u ka kërkuar që mos udhëtojnë drejt Tiranës tifozët që nuk janë pajisur me biletë, pasi nuk mund ta sigurojnë atë në mënyrë të paligjshme. Flitet që në kryeqytetin shqiptar do të vijnë deri në 100 mijë tifozë, por kjo është e pamundur nga ana logjistike, qoftë në rrugë ajrore, tokësore apo detare, përfshi edhe mungesën e hotelerisë për të pritur kaq shumë persona brenda një nate.

Në vendet evropiane lëvizja e tifozëve bëhet kryesisht me trena, që Shqipëria nuk i ka. Duke parë këtë, klubi i Romës, nga ku priten të vijnë më shumë drejt Tiranës, po kërkon të marrë leje që të hapë stadiumin “Olimpico” më 25 maj ditën e finales dhe tifozët të ndjekin skuadrën e zemrës përmes dy monitorëve gjigantë.

Ndërkohë, UEFA ka marrë nën kontroll stadiumin “Air Albania” dhe çdo ditë po bëhen koordinimet me FSHF, Policinë, Bashkinë e Tiranës dhe aktorët e tjerë në mbarëvajtjen e këtij eventi historik.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb