Mbrëmja e sotme mund të shijohet ndryshe nga kryeqytetasit, pasi në orën 20:00, në Amfiteatrin e Tiranës do të mblidhen disa prej emrave më të mirë të muzikës popullore.

E si për të harruar pandeminë për pak çaste, në skenë do të ngjiten artistët Gena, Fatmira Breçani, Irini Qirjako, Valbona Mema, Kozma Dushi, Liri Rasha dhe Vaske Curri. Pak para nisjes së këtij koncerti, artistë kanë zhvilluar sot një takim me kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili ftoi qytetarët të marrin pjesë në këtë koncert festiv, por duke respektuar masat e distancimit për COVID-19.

“Jemi super-entuziastë që sot në darkë, tek Amfiteatri, do të kemi ajkën e muzikës së mirë shqiptare, në një koncert fantastik të titulluar: ‘Të gjitha rrugët të çojnë në Tiranë’. Një shprehje e vjetër thotë: Të gjitha rrugët të çojnë në Romë, sepse Roma ishte qendra e Perandorisë, kurse sot qendra e Perandorisë për zemrat, mendjet dhe energjinë tonë pozitive është Tirana. Ndaj, sot në orën 20:00, me kushtin e ruajtjes së distancës sociale dhe mbajtjen e higjienës, ju presim tek Amfiteatri i Liqenit të Tiranës. Ata që s’kanë mundësi të vijnë, mund ta ndjekin ose në televizor, ose në rrjetet sociale. Kemi nevojë të ruajmë shëndetin fizik, por kemi nevojë të ruajmë edhe shëndetin mendor, të kujtojmë më shumë muzikën, artin, kulturën, këngët e vallet tona, edhe si një lloj terapie, por edhe si një mënyrë fantastike për të rikuperuar dhe dalë më i fortë si komb, si shoqëri, nga kjo sfidë. Kemi kaluar shumë sfida këtë vit, në 100-vjetorin e Tiranës, duke filluar nga tërmetet tek pandemia, por unë besoj se ky qytet është i suksesshëm sepse ngrihet shpejt sa herë që rrëzohet. U rrëzuam në këto sfida që patëm, ka ardhur koha të ngrihemi”, tha Veliaj.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: