NGA JETON SELIMI

TIRANE- Ilir Daja është zyrtarisht trajneri i ri i Tiranës. Ish-trajneri kampion me Elbasanin e Dinamon, ka marrë frerët e ekipit bardheblu, që pas 8 javësh kampionat, ka grumbulluar vetëm 10 pikë, 12 më pak sesa vendi i parë që mbahet nga Partizani. Trajneri u prezantua nga presidenti Refik Halili, ndërsa do të pasojë në detyrë Shkëlqim Muçën.

“Do të luftojmë që Tirana të arrijë objektivat e vendosur në fillim të sezonit. Me emërimin e trajnerit Daja në stol, pretendojmë minimalisht që skuadra të sigurojë një vend në kupat e Europës në fund të sezonit”, – u shpreh Refik Halili gjatë fjalës së tij.

Pas fjalës prezantuese të kreut të bardhebluve, foli edhe trajneri i ri Daja, i cili, pasi falënderoi për besimin e drejtuesve të klubit kryeqytetas, vlerësoi mjaft uljen në pankinën e Tiranës, duke theksuar se një detyrë e tillë kërkon përgjegjshmëri dhe përkushtim, çka atij nuk do t’i mungojë.

“Unë nuk do t’ju premtoj shumë gjëra, pasi nuk kam shkopin magjik t’i ndryshoj gjërat për tri ditë. Fillimisht do të synojmë të fitojmë ndeshjen e radhës. Duhet të bëjmë të gjitha përpjekjet për të rikuperuar ato që janë humbur. Stafi teknik do mbetet i njëjtë, ndërkohë që do të kërkojmë të marrim një përgatitës atletik, por për këtë nuk do të nxitohemi, se duam të përzgjedhim të duhurin, jo një sa për ta pasur se duhet”. Pasardhësi i Shkëlqim Muçës në stol shprehu rezerva për sa i takon përgatitjes fizike të skuadrës, ndërsa la të hapur mundësinë e afrimit të një përgatitësi atletik.

“Një tjetër problem është gjendja fizike e lojtarëve, por nuk kemi kohë të merremi me këtë komponent aktualisht. Do të mundohemi të menaxhojmë gjendjen që kanë aktualisht futbollistët, pasi na duhet të përgatisim skuadrën për të fituar ndeshjet e radhës. Për të thënë të vërtetën, nuk e di saktësisht se si është gjendja fizike e lojtarëve dhe ky është një tjetër problem”, – u shpreh ndërmjet të tjerash Ilir Daja, tashmë si trajner i skuadrës bardheblu, që tanimë ka si objektiv ndeshjen e radhës ndaj Kukësit.

“Në këto pak ditë të mbetura përpara ndeshjes me Kukësin do të bëjmë maksimumin për të arritur më të mirën. Do të nevojiten të paktën 5-6 javë punë që skuadra të arrijë në kondicionin e duhur fizik, dhe deri në atë periudhë do të menaxhojmë forcat”.

Sa u takon objektivave madhorë, Daja nuk ka aspak presionin e paraardhësit të tij, pasi me kampionatin që po mbyll 25% të tijin, duket e pamundur për bardheblutë që të rivalizojnë me Partizanin dhe Skënderbeun, ndaj trajneri i ri do të fokusohet vetëm te zona europiane. Dje pasdite, Ilir Daja u prezantua me skuadrën kryeqytetase në kompleksin stërvitor “Skënder Halili”, duke nisur kështu “jetën” e tij të re si timonieri i skuadrës së Tiranës.

(el.sp/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: