(I perditesuar) TIRANË-Dy persona kanë mbetur të vrarë me armë zjarri në zonën e Selitës në Tiranë.

Sipas hetimeve të para të policisë dyshohet se viktimat, të identifikuar si Adnan Luli dhe Ervin Shaba kishin hyrë për të vjedhur në një banesë dhe janë qëlluar për vdekje me armë nga i zoti i shtëpisë.
Burime paraprake nga policia konfirmojnë se pronari i banesës ka bërë me dije se 2 personat ishin futur në shtëpinë e tij me qëllim grabitjen.
Forca të shumta policie shkuan menjëherë në vendngjarje dhe po hetojnë për zbardhjen e mëtejshme të krimit.
Ngjarja besohet se ka ndodhur rreth orës 08: 45 minuta, njoftimi është marrë në këtë orë nga salla operative e policisë. Pas mbërritjes së policisë u gjetën dy persona të vrarë në banesën e shtetasit Flamur Ymeri. Viktimat Adnan Luli dhe Ervin Shaba ishin të maskuar. Trupat e tyre u gjeten njëri në një dhomë dhe tjetri në një dhomë tjetër të vilës 2 katëshë. Pranë dy viktimave janë gjetur dhe dy armë të tipit, Scorpions. Polica bën me dije se Adnan Luli është me origjinë nga Shkodra, ndërsa nuk dihet ende origjina e Shabës.
Policia ka shoqëruar pronarin e banesës, Flamur Ymerin i cili po jep versionin e tij për vrasjen e 2 personave në banesën e tij.
Policia po punon për identifikimin e viktimave dhe motivin se përse këta dy persona kanë hyrë në shtëpinë e Flamur Ymerit.

Zbardhen detaje si ndodhi ngjarja

Gazetari Spartak Koka zbardhur detaje nga ngjarja e sotme në Selitë. Mësohet se grabitësit kanë hyrë brenda në vilën 2-katëshe pasi kanë kapërcyer avllinë e shtëpisë.
Sipas të dhënavë paraprake policore bëhet me dije se pronari i banesës shtetasi Flamur Ymeri pasi kishte dërguar vajzat në shkollë, ka konstatuar nga kamerat e sigurisë se në banesë ishin futur dy persona me maska, dhe më pas me një armë zjarri që e kishte në banesë ka qëlluar duke i ekzektuar të dy njërin në dhomën e gjumit dhe tjetrin në kuzhinë.

Në polici janë shoqëruar për të dhënë dëshmi si persona që mund të kenë informacion për rrethanat e ngjarjes dhe 15 persona të tjerë mes të cilëve familjarëvë dhe komshi të familjes Ymeri.

Hetimet për ngjarjen janë përqëndruar edhe në pista të tjera përveç asaj të grabitjes.

Banorët e Selitës: Hajdutë ishin, do t’i vrisnim me dorën tonë po ti kapnim
Bamnorët e Selitës, fqinjë me Flamur Ymerin, në banesën e të cilit u gjetën dy të vrarë me armë zjarri shprehen se ngjarje me motiv grabitjen janë të zakonshme në zonën e tyre. Kureshtja pas episodit në banesën e Ymerit, ka bërë që banorë të shumtë të dalin në rrugë. Nuk hezitojnë të komentojnë. Për Neës24, ata shprehen se Flamuri veproi drejt dhe se të njëjtën gjë do të bënin dhe ata nëse do të kapnin hajdutin ‘me presh në duar’

“Kanë ndodhur vazhdimisht vjedhje në zonën tonë. Fakti se janë shtëpia të ulëta, vila me kate dhe jo të ruajtura mirë, grabitësit hyjnë lehtë. Flamurit i qëlloi rasti që i kapi në shtëpi dhe i pa duke vjedhur. Thonë, sic dëgjuam nga policët këtu, që grabitësit  i ka vënë armën në kokë Flamurit dhe ai me armën e tyre i ka vrarë. Është përleshur”, shprehet një banore.

Një tjetër tregon një rast vjedhje në banesën e saj, ngjarje e ndodhur para dy vitesh.
“Mua më kanë vjedhur para dy vjetësh në mes të drekës, nuk lanë gjë, me televizor me gjëra në shtëpi. Po ti gjeja do t’i vrisja dhe unë”.

“Të hyjnë në shtëpi, të të vjedhin banesën, djersën tim, do t’i vrisja me dorën time. Ata mund dhe të të vrasin”.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: