TIRANË-Një sasi e konsiderueshme eksplozivi ka shpërthyer në një objekt në ndërtim në zonën e “Vasil Shantos” në kryeqytet.

Gazetari i News24 Spartak Koka raporton nga vendi i ngjarjes se një shpërthim i fuqishëm është dëgjuar nga banorët e zonës. Lënda eksplozive është vendosur në një nga kolonat e objektit në ndërtim. Gazetari Koka bën me dije se pista e parë në të cilën po heton policia është ajo e konflikteve të vjetra që ka pronari i ndërtesës.

Shpërthimi dyshohet të ketë ndodhur për konflikte pronësie. Objekti është sekuestruar nga banka për mosshlyerje kredie. Banka e ka shitur objektin tek një person tjetër. Kjo ka sjellë që pronari i ri të ketë një konflikt me pronarin e vjetër të godinës. Objekti i është sekuestruar shtetasit Arben Bardhit.

Nga shpërthimi bëhet me dije se kanë mbetur të lënduar dy kalimtarë të rastit. Sasia e madhe e eksplozivit ka bërë që të dëmtohen edhe automjetet e parkuara pranë objektit. Shpërthimi ka ndodhur në rrugën “Bledar Shtylla” pranë ndërtesës së KESH.

Gazetari Spartak Koka bën me dije se fillimisht policia ka mohuar të ketë ndodhur ndonjë shpërthim me lëndë eksplozivi duke thënë që ka një shpërthim transformatori e më pas shpërthim të një bombole gazi. Sipas gazetarit policia ka pranuar ngjarjen vetëm pas konstatimit në terren.

Nga të dhënat e para dyshohet që personi që ka vendosur lëndën eksplozive është një mashkull rreth 1,70 cm i gjatë i veshur me xhup të kuq.

Policia e Tiranës: Ngjarja për motive pronësie prej disa kohësh

Pas ngjarjes ka ardhur edhe reagimi i policisë së Tiranës. Nga hetimet paraprake të policisë rezulton se ngjarja ka ndodhur për motive pronësie prej disa kohësh. Ndërtesa ku ndodhi shpërthimi ka qënë në pronësi të shtetasit Arben Bardhi, të cilit ja ka konfiskuar banka për mosshlyerje të detyrimeve.

Sipas policisë, pas konfiskimit nga banka ndërtesa është blerë nga shtetasi Vangjush Stavro dhe për pasojë ka pasur konflikt mes tyre. Policia po vijon hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe arrestimin e autorëve.

(d.d/a.n/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: