NGA ZONJA VJOLLCA*

Për pandispanjën:
4 kokrra vezë
90 gr sheqer
180 gr miell
Lëng aromatizues
Pak kripë

Për shërbetin:
150 ml ujë
80 gr sheqer
Lëng aromatizues

Për kremin:
20 gr çokollatë e bardhë
200 gr maskarpone
250 gr rikota
90 gr sheqer
50 gr miell bajamesh
200 gr pluhur arrë kokosi
1 pako vafer
400 ml pana
50 gr fistik

Fillimisht përgatisim pandispanjën duke rrahur vezët të bardhat dhe të verdhat së bashku, me pak kripë, lëng aromatizues dhe sheqer. I rrahim mirë me mikserin e vezëve derisa sheqeri të shkrijë dhe volumi i vezëve të rritet. Ndërkohë shtojmë miellin gradualisht dhe trazojmë kremin e formuar me një spatul deri sa të formohet një masë homogjene kremoze. E vendosim në një tavë dhe më pas në furrë në temperaturën 170 gradë për 20 minuta.

Ndërkohë në një tenxhere të vogël përgatisim shërbetin duke lënë të vlojë ujë me sheqer dhe pak aromatizues. Pasi shërbeti të jetë përgatitur e lemë të ftohet pasi ai nuk duhet përdorur i nxehtë.

Përgatisim kremin duke vendosur fillimisht çokollatën ne banjo mari derisa ajo të shkrijë. Në një tas trazojmë maskarponen me rikotën dhe sheqerin. E trazojmë mirë me mikser derisa të marrë trajtën e një kremi. Më pas shtojmë miellin e bajames, 50 gr pluhur arrë kokosi dhe çokollatën e shkrirë. E trazojmë përsëri me mikser. Në një tjetër tas rrahim derisa të ngurtësohet panën e ëmbëlsirës dhe më pas e trazojmë duke e shtuar gradualisht në tasin me maskarpone dhe çokollatë. Pasi kremi të jetë përzier mirë e ndajmë atë në dy pjesë, njerën pjesë e përdorim për mbulimin dhe zbukurimin e tortës dhe pjesën e dytë për mbushjen e brendshme. Tek tasi i dytë shtojmë vaferat të ndara në copëza te vogla.

Pasi pandispanja të jetë ftohur e ndajmë ne dy disqe horizontalisht. Lyejmë një disk me shërbet të ftohtë dhe më pas vendosim një shtresë kremi me vafer, e nivelojmë kremin mirë brenda dhe anash dhe më pas vendosim diskun e dytë të pandispanjës të lyer me shërbet. E mbulojmë të gjithë sipërfaqen e tortës me krem, e nivelojmë mirë duke e dekoruar me pas me lule me anë të një xhepi pastiçerie. E pudrosim me pluhurin e arrës së kokosit dhe më pas e zbukurojmë sipas dëshirës me pak fistikë ose mund ta dekorojmë dhe me disa bonbone të përgatitura me kremin e mbetur, të pudrosura me pluhur kokosi si Raffaelo.

(d.b/Vila24/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb