Merr një tjetër drejtim hetimi për pilotin italian të rrëzuar në Ishëm, që dyshohet se do transportonte 200 kg kanabis nga Shqipëria drejt vendit fqinj. Avokati i pilotit, Aleksandër Ndrejaj deklaroi sot se klienti kishte ardhur për turizëm dhe nuk ka bërë asnjë pakt me prokurorinë shqiptare. Ndrejaj ka shkuar edhe më tej duke hedhur poshtë jo vetëm dyshimet e ngritura ndaj Guidit për trafik kanabisi por edhe vetë deklarimet e klientit të tij para oficerit të policisë gjyqësore.

Por burime të Prokurorisë pohuan sot për “BalkanWeb” se Guidi jo vetëm pohoi ditën e ndalimit se kishte ardhur në Shqipëri për të provuar pistën në Ishëm nga ku do merrte drogën por se edhe ka pranuar të japë edhe emrat e trafikantëve që e kishin kontaktuar. Madje emrat e trafikantëve janë tashmë në duart e prokurorëve të cilët pavarësisht deklaratave të sotme të avokatit po vijojnë punën për zbardhjen e së vërtetës.

Po për sa kohë Guidi nuk ka patur statusin e “të penduarit”, shto edhe faktin që dëshminë e tij e ka dhënë në mungesë të një avokati atëhere kjo e vështirëson punën e organit të akuzës për shkak se dëshmia e tij pa avokat nuk mund të konsiderohet si provë.

Pikëpyetja në këtë rast është pse u tërhoq Guidi nga dëshmia e dhënë. A është ky rezultati i parë i faktit që ai u la qëllimisht i lirë në mënyrë që trafikantët ta kontaktonin dhe të kishin mundësinë për ta intimiduar?

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: