Të paktën 41 persona mbetën të vdekur dhe 45 u plagosën nga një zjarr i përmasave të mëdha që ra brenda një kishe në qytetin egjiptian të Gizës të dielën.

Sipas agjencisë së lajmeve Reuteres zjarri ra si pasojë e një shkëndije elektrike pak para orës 9 të mëngjesit, kur në kishën Abu Sifin po zhvillohej mesha e së dielës dhe rreth 5,000 njerëz ndodheshin brenda godinës.

 

Zjarri bllokoi një nga hyrjet e kishës duke shkaktuar një rrëmujë, e cila si pasojë la të vdekur shumë fëmijë që ndodheshin pranë prindërve të tyre.

“Njerëzit po mblidheshin në katin e tretë dhe të katërt, dhe ne pamë tym që vinte nga kati i dytë. Njerëzit nxituan të zbrisnin shkallët dhe i pamë duke rënë mbi njëri-tjetrin. Pastaj dëgjuam një zhurmë dhe shkëndija dhe zjarr që dilnin nga dritarja”, tha Yasir Munir, një predikues i fesë që ndodhej në katin e parë të kishës së bashku me vajzën e tij dhe arritën të shpëtonin.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Zjarret elektrike të këtij lloji nuk janë një dukuri e rrallë në Egjipt. Në fund të vitit 2020, një zjarr në një spital që trajtonte pacientët me COVID-19 vrau të paktën shtatë persona dhe plagosi disa të tjerë.

“Unë ofroj ngushëllimet e mia të sinqerta për familjet e viktimave të pafajshme që kanë kaluar të jenë me Zotin e tyre në një nga shtëpitë e tij të adhurimit”, tha presidenti egjiptian Abdel Fattah al-Sisi në një postim në Twitter.

 

Maher Murad tha se e la motrën e tij në kishë pas lutjeve. “Sapo u largova nga kisha vetëm 10 metra, dëgjova zhurmën e britmave dhe pashë tym të dendur”, tha ai.

“Pasi zjarrfikësit shuan zjarrin, unë njoha trupin e motrës sime. Trupat janë të gjithë të djegur dhe shumë prej tyre janë fëmijë, të cilët ishin në një dhomë çerdheje në kishë”, shtoi ai.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb