Autoritetet saudite kanë bërë të ditur dje, se gjiganti saudit i ndërtimeve, grupi “Bin Laden” është pjesërisht përgjegjës për aksidentin vdekjeprurës të së premtes së shkuar, kur një vinç gjigant u rrëzua mbi Xhaminë e Madhe në Mekë. Komisioni hetimor doli në përfundimin se, kompania nuk kishte respektuar normat e sigurisë. Vinçi ra gjatë një stuhie, duke u marrë jetën 107 personave dhe duke plagosur 400 të tjerë.

Kompania e ndërtimit është në pronësinë e familjes së kreut të vrarë të Al-Kaedës, Osama Bin Laden. Drejtuesit e kompanisë janë ndaluar të largohen nga vendi, deri sa hetimi të përfundojë plotësisht. Kompania, po ashtu, do të përjashtohet nga çdo kontratë publike gjatë së njëjtës kohë. Vinçi i kuq gjigant u rrëzua mbi një pjesë të Xhamisë së Madhe, ndërsa ishte e mbushur me besimtarë, më pak se dy javë para pelegrinazhit të përvitshëm të Haxhit. Xhamia, e njohur si “Masxhid al Haram”, është më e madhja në botë dhe rrethon vendin e shenjtë islam, Qabenë. Grupi saudit “Bin Laden” ka punuar për katër vite për zgjerimin e Xhamisë së Madhe. (Shqip)
(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: