Në orët e para të mëngjesit të sotëm, shërbimet policore të Njësisë për Sigurinë e autostradës “Milot-Morinë”, në aksin rrugor “Tuneli-Morinë”, i kanë bërë shenjë ndalimi automjetit tip fugon, të marrë me qira nga shtetasi F. L., me qëllim kryerjen e kontrollit.

Shtetasi F. L. nuk i është bindur urdhrit për të ndaluar, por është larguar me shpejtësi, ka braktisur automjetin dhe duke përfituar nga kushtet e errësirës, ka mundur të largohet.

Gjatë kontrollit në këtë automjet, shërbimet e Policisë kanë konstatuar 18 emigrantë nga Siria, të cilët shtetasi F. L. po i transportonte kundrejt pagesës, në drejtim të Morinës, me qëllim kalimin e paligjshëm të kufirit.

Në kuadër të operacionit “Kalimashi”, specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme të DVP Kukës, shpallën në kërkim për veprat penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve” dhe “Mosbindja ndaj urdhërit të punonjësit të policisë së rendit publik”, shtetasin F. L., 20 vjeç, banues në Shkodër.

Vijon puna intensive për kapjen e 20-vjeçarit dhe vënien e tij përpara përgjegjësisë penale.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Kukës, për veprime të mëtejshme.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: