*Drejtuesit e TV-ve: Të fillojë dekriminalizimi i medias, transparencë fondeve publike

TIRANË- Pas qëndrimit editorial të tre Televizoneve informative, Ora News, News24 dhe ABC News ndaj Ministrisë së Brendshme për dhënie preferenciale të informacionit, ka reaguar në sinkron të plotë Ministria e Brendshme dhe televizioni A1 Report, duke e konsideruar denoncimin, si të pavërtetë.

Në asnjë reagim, tre televizionet nuk morën përgjigje për thelbin e shqetësimin, pse nuk garantohet konkurrenca e lirë dhe e ndershme nga institucionet që paguohen nga paratë publike.

Pas ftesës së bërë nga, Carlo Bollino, në editorialin e tij se ka ardhur koha për dekriminalizmin e medias, Ora News, intervistoi drejtorin e ABC News, Armand Shullaku, atë të Ora News, Ylli Rakipi dhe të News 24 Enton Abilekaj, të cilët e mbështesin idenë e fillimit të dekriminalizmit të medias e transparencës së fondeve publike.

Armand Shkullaku, Drejtor i ABC News: “Zotin Bollino e njoh para se të vinte në Shqipëri, nuk ka qenë asnjëherë emocional, ka qenë i ftohtë dhe njeri i llogarive dhe jo i pasioneve. Faktet e kanë treguar edhe gjatë karrierës së tij ai i ka qëndruar besnik llogarisë dhe jo pasionit. E dimë që gjatë kohës që u afrua me Edi Ramën gjatë kohës kur ishte kryetar Bashkie mori Kombinatin e Autotraktorëve me koncesion dhe shumë prona të tjera. Edhe sot jo rastësisht emri i Carlo Bollinos nuk del thjesht si botues mediash, por del si restaurues tunelesh, bunkerësh, kancerit të gjirit.. Dhe ai nuk i jep përgjigje pyetjes themelore, pse ka pranuar të marrë pamje nga policia e shtetit në këmbim të çfarë favori? Të pyesësh se ku i gjen paratë për të blerë një shtëpi gazetar që ka 25 vjet që punon në tregun e lirë mediatik në Shqipëri dhe të mos e bësh këtë pyetje për Kryeministrin do të thotë të jesh i tretur jo vetëm mendërisht por dhe fizikisht. Domethënë të mos kesh fuqi në asnjë moment të bësh detyrën tënde. Dhe mendoj që këtu nuk e shpëtojm ë dot zotin Bollino tek ky hall që ka. Për sa kohë të ketë mundësi të përfitojë le të përfitojë dhe ne për sa kohë të kemi mundësi do të themi fjalën tonë kur përfitimet e tij pengojnë konkurencën e lirë në treg, vetëm kaq”.

Ylli Rakipi, Drejtor i Përgjithshëm i Ora News: “Unë e njoh herët zotin Carlo Bollino, shumë herët. Nuk e njoh kaq të guximshëm për të thënë dhe budallëqe. Ai duhet të dekriminalizojë së pari rajonin nga vjen, vendlindjen e vet dhe pastaj të kontribuojë patjetër në Shqipëri jo vetëm duke mbjellë televizione çdo 3-4 vjet, por duke bërë bërë përpjekje për dekriminalizimin. Sa i përket transparencës, fondeve publike, ne këtu jemi, do flasim. Unë për fat bëj dhe një emision të kësaj natyre dhe do flasim për fondet publike të Carlos, të të tjerëve, të gjitha. Ne do jemi transparent edhe me Carlon dhe me Carlot e tjerë”.

Enton Abilekaj, Drejtor Informacioni i News 24: “Më vjen keq që ata u rreshtuan në krah të qeverisë dhe kundër kolegëve të tyre. Shpresoj që kjo të mos ndodhë në të ardhmen. Kjo nuk i bën ata më të rëndësishëm, por i bën akoma më të parëndësishëm. Dhe ata këtë duhet ta kuptojnë dhe të kthehen sa më shpejt, të bashkohen me kolegët e tyre dhe të luftojnë për atë që luftojmë të gjithë, të jemi të gjithë të barabartë përpara ligjit, të jemi të gjithë të barabartë në konkurrencën tonë dhe të respektojmë në radhë të parë kolegët tanë dhe njëri-tjetrin”.

Tre Televizionet, në unison i kujtojnë Ministrisë së Brendshme se dhënia selektive e pamjeve, është një histori e përsëritur dhe i kërkojnë të mos influencojë në tregun mediatik shqiptar

Armand Shkullaku: “Kjo ndërhyrje mendoj që është e padrejtë dhe është preferenciale që bëhet nga qeveria. Dhe indirekt çon trafikun e influencës, pra unë po të jap këtë privilegj, pra pamjet. Nuk po ua jap atyre të tjerëve por ama ti duhet të ma këmbesh këtë gjë me favorin e mbështetjes politike kur Ministri të ketë nevojë”.

Ylli Rakipi: “Kjo duhet të mbarojë një orë e më parë. Është në të mirë edhe të Ministrisë së Brendshme, kur tre Televizione ngrihen dhe thonë një gjë do të thotë se ata kanë një shqetësim. Nuk janë bashkuar si Televizione. Idetë, qëndrimet editoriale i kanë të ndryshme.Janë bashkuar për n jë problem shumë të thjeshtë që është në dëmtë informimit të publikut të gjerë, në dëm të interesit publik dhe ky është një problem shumë i rëndësishëm. Ministri Tahiri, të cilin unë e respektoj shumë, është një njeri që duhet ta sjellë në këtë stad këtë moment, domethënë të informoj të gjithë njëlloj. Nuk mund të ngrihet një Televizion duke e ndihmuar në këtë mënyrë, ne nuk kemi asgjë me atë Televizion”.

Enton Abilekaj: “ Ministria ka abuzuar me informacionin zyrtar dhe Ministria megjithëse është abuzuese është dhe prepotente në këtë rast me reagimin e saj. Ne nuk do ta mbyllim me kaq, nëqoftëse këto gjëra do të përsëriten, ne do të vazhdojmë reagimin tonë deri në një reflektim të Ministrisë dhe të qeverisë në përgjithësi ndaj shpërndarjes preferenciale të informacionit zyrtar që është shkelje e ligjit”.

Një ditë më parë, Ora News, ABC News dhe News 24, u detyruan ti drejtohen publikisht Ministrisë së Brendshme, e cila prej më shumë se 1 viti e ka kthyer në normë dhënien e pamjeve selektive ndaj A1 Report, në kurriz të televizioneve të tjera.

 

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: