Perceptimi se asgjë nuk mund të përmirësohet pa u larguar politikanët dhe gjyqtarët e korruptuar ka zënë thellë rrënjë në opinionin publik. Padyshim që klasa politike dhe gjyqësori mbajnë mbi supe mëkate të rënda për nivelin e abuzimit dhe korrupsionit.

Por a janë ata të vetmit që mbajnë përgjegjësi?
Mendoj se vëmendjes së opinionit publik i ka shpëtuar një klasë po aq e rëndësishme dhe përgjegjëse sa dy të parat. Është një klasë që nuk ka kryetar, nuk garon në zgjedhje, nuk shfaqet shumë në media, dhe nuk ka parti.

Ajo është klasa administrative. Më konkretisht, klasa e hajdutëve të dobishëm në administratën publike.
Ekzistencën e kësaj klase e pranoi vetë Kryeministri Rama kur në asamblenë e Partisë Socialiste, gjatë emërimit të z. Brace, tha: “Erioni si Zëvendës Kryeministër do të ketë të gjithë autoritetin…për të dhënë kontributin e tij, besoj unikal, në pastrimin e administratës nga hajdutët, nga parazitët, dhe nga gjithfarëlloj fundërrinash.”

Duhet thënë së pas afro gjashtë vitesh në detyrë, Kryeministri ka pasur mjaftueshëm kohë për ta pastruar administratën nga hajdutët. Përse nuk e ka bërë, e di ai.

Gjithsesi, nëse sot politika përfytyrohet si timoni që drejton makinerinë korruptive, atëherë administrata duhet përfytyruar si motori që gjeneron lëvizjen. Pa bashkëpunimin e administratës, aferat korruptivë kurrë nuk mund të materializohen.

Për të vënë në lëvizje ingranazhet korruptivë nevojitën një seri e tërë firmosjesh administrative. Politika gjithmonë firmos e fundit, në mos fare.

Administrata publike është sot po aq përgjegjëse për dëmin e keqqeverisjes sa vetë politika dhe gjyqësori. Një pjesë e këtij dëmi është i dukshëm dhe i mirëdokumentuar.

Sipas raportit të fundit të Kontrollit të Lartë të Shtetit, dëmi shkaktuar buxhetit nga administrata publike për vitet 2015-2017 është 957 milion euro. Tejet i lartë për një vend të varfër si Shqipëria.

Shpjegimi akademik i procesit qeverisës në demokraci mbështetet mbi teorinë e “Trekëndëshit të Hekurt”. Sipas teorisë, politikat e një vendi demokratik janë produkt i sinergjive pozitive që çlirohen nga marrëdhënie trekëndore ndërmjet grupeve të interesit, të zgjedhurve politikë dhe administratës.

Kjo teori shpjegon dhe procesin që prodhon dhe mbarështon korrupsion. Si rrjedhojë mund të thuhet se korrupsioni në Shqipëri është produkt i sinergjive kriminale që burojnë nga një marrëdhënie trekëndore ndërmjet gjyqësorit, politikës, dhe administratës.

Por cili ka qenë procesi që e transformoi një pjesë të administratës në një nga brinjët e “trekëndëshit të së keqes”?
Pas rënies së komunizmit e deri më sot, ky proces ka kaluar në disa etapa.

Me ardhjen në pushtet, partitë mbushin administratën me militant shërbëtorë. Me këtë, politika vret dy zogj me një gur. Shpërblen militantët me punësim dhe njëkohësisht plotëson makinerinë korruptive me njerëz të besuar që e vënë në lëvizje.

Në këtë periudhë të parë, rotacionet politike shoqërohen me spastrime të thella të administratës nga militantë të partive kundërshtare. Duke qënë se punonjësit e administratës nuk janë shumë të mbrojtur ligjërisht, spastrimet kryhen lehtë.

Pas kësaj vjen etapa e shkëputjes politike, e cila përkon me ngjizjen e klasës së hajdutëve të dobishëm në administratë.

Kjo etapë është rezultat i rotacioneve politike. Partia e sapoardhur në pushtet spikat punonjës administrate që e kanë perfeksionuar artin e hajdutërisë, por që i përkasin partisë opozitare. Këta janë hajdutët e dobishëm, të cilët nëse pranojnë t’i shërbejnë pushtetit të ri nuk preken nga spastrimet.

Kështu rotacion pas rotacioni fillon e mbushen ngadalë radhët e klasës së hajdutëve të dobishëm, të cilët shkëpusin lidhjet politike me partin që i ka punësuar fillimisht dhe i shërbejnë pushtetit të radhës.

Etapa e mëvonshme është ajo e partneritetit e cila vjen si pasojë e pasurimit të hajdutëve të dobishëm. Duke qenë hallkë e rëndësishme e zinxhirit korruptiv, përfitimet financiare sa vine e shtohen.

Ata i kuptojnë mirë rregullat e lojës, ku më i rëndësishmi është se në demokraci, politika ka gjithmonë nevojë për para. Hedhin para në fushatë dhe dalëngadalë krijojnë një marrëdhënie partneriteti me politikën. Më të suksesshmit arrijnë të ngjisin shkallët e hierarkisë partiake dhe i paraqiten shoqërisë si figura politike.

Ky ka qene rrugëtimit transformues i një pjese të administratës publike ne 27 vitet e fundit.
Ndërkohë vettingu në gjyqësor po sjell rënien e një brinje të trekëndëshit. Rënia e gjyqësorit pritet të sjellë një etapë të re transformuese për administratën. Etapën e tradhtisë ndaj politikës.

Për Italinë, 17 shkurti i vitit 1994 ish një ditë e parëndësishme. Në fakt, kjo do të ish dita e nisjes së një zinxhiri arrestimesh që do të shfaqin para publikut Tanxhentopolin. Do të nis ngritjen e një republike të re, dhe rënien e një klase të tërë politike.

Më 17 shkurt arrestohet me zarf në dorë hajduti i dobishëm ne administratën italiane, Mario Kiesa. Në qelitë e paraburgimit Kiesa pret ndihmën e politikës për të cilën punon. Ndihma nuk i vjen. Kur kupton se politika e ka tradhtuar, vendos ta tradhtojë dhe ai atë duke bashkëpunuar më drejtësinë. Tradhtia e Kiesës nis ortekun që sjell procesin Mani Pulite, i cili finalizohet me arratinë e turpshme në Tunizi të kryeministrit Kraksi.

Ndryshe nga ajo italiane, drejtësia e re shqiptare nuk do të ketë nevojë të arrestojë askënd në flagrancë. Për të nisur ortekun, ajo mjafton të hapë raportet e KLSH dhe aty do të gjejë te rreshtuar emrat dhe shkeljet e hajdutëve të dobishëm që nxinë në vite faqet voluminoze. Më pas, nisja e etapës së tradhtisë është thjeshtë çështje kohe.

* Autori ka shërbyer si Zv. Ministër i Bujqësisë ne kabinetin “Rama 1”.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb