Nga: ELTON DONO*
KORÇE- Festa e Birrës vijoi me një ritëm të lartë edhe në natën e tretë të saj, si përherë nën siglën e qytetit të Korçës dhe birrës që mban emrin e qytetit të serenatave, “Birra Korça”. Në ndryshim nga 2 netët e para të saj, këtë radhë, moti u tregua bujar përgjatë gjithë ditës, dhe përveç neoneve të improvizuara apo projektorëve të skenës, i gjithë sheshi para stadiumit u duk edhe më i bukur në sajë të qiellit të hapur pa re. Te të pranishmit nuk u vërejt aspak lodhja e dy netëve të para, por përkundrazi, edhe ata që qëndronin para skenës ku luajtën muzikantët, ishin më të shumtë në numër se 2 netët e kaluara. Si përherë kanë dominuar me praninë e tyre të rinjtë, por megjithatë organizimi perfekt në këtë festë, bën që çdo moshë ta shijojë atë, përmes tavolinave të shpërndara anekënd sheshit, sikush duke shijuar një detaj të bukur që i shkon përshtat nga kjo festë 9-vjeçare tashmë, që pritet të vijojë edhe për shumë e shumë vite me radhë, e padyshim përbën një suvenir të ri në paraqitjen e qytetit të bukur juglindor. I njohur për serenatat, rrugët me kalldrëm apo dëborën gjatë dimrit, tashmë Korça ka edhe 2 pasuri të tjera: futbollin me skuadrën kampione Skënderbeun, dhe Festën e Birrës, që për 5 net me radhë, çdo vit mban të ngërthyer çdo moshë për orë të tëra, në praninë e miqve, familjarëve e të dashurve.
Drejtori i shitjeve në “Birra Korça”, Kostika Gjylameti deklaroi dje se këtë vit kanë pasur kërkesa të jashtëzakonshme për prodhim dhe shitje të birrës, e cila është kërkuar si asnjëherë më parë.
“Fabrika ka punuar me kapacitet të plotë para dhe gjatë festës. Janë shitur pas 3 netëve më tepër se 40 mijë gota, një shifër kjo rekord si asnjëherë më parë. Presim që në dy netët në vijim fluksi të jetë më i madh, ndaj kemi marrë masat që çdo qytetar të shijojë ‘Birrën Korça’, shijen e veçantë të biondes ose brunes, sipas dëshirës”, – deklaroi Gjylameti për “GSH”.
Mbrëmjen e djeshme nuk mungoi në asnjë çast spektakli. Birrë, muzikë, kërcim e alegri deri në mëngjes. Me këto fjalë mund të përshkruhet atmosfera e mbrëmshme në këtë qytet. Mbrëmja vijoi si përherë në shoqërinë e ‘Birra Korçës’, më të vjetrës dhe të hijshmes birrë shqiptare. Qytetarët pjesëmarrës shijuan ëmbëlsinë e tingujve të kitarës, pianos apo xhezit, ndërthurur butësisht me zërat melodiozë të këngëtarëve të përzgjedhur për të performuar në këtë natë magjike.
Për të gjithë ata që nuk mundën të depërtojnë mes turmës pranë skenës së instaluar ku performojnë artistët, bashkia e qytetit kishte instaluar 2 monitorë gjigantë, lehtësisht të dallueshëm edhe në largësi të madhe. Bulevardet “Gjergj Kastriti” e “Republika”, në vigjilje të koncertit shkeleshin gëzueshëm nga këmbë të drejtuara kah poshtë, drejt zonës së stadiumit, Pallatit të Sportit apo Parkut, një nga pjesët më të fisshme të qytetit të Korçës.
Si fillim të pranishmit u rrethuan me ngrohtësinë e serenatave të Laxarelës dhe Olsa Papandilit. Më tej u ngjitën në skenë grupi “Skizo Band”, për t’i lënë radhën Vedat Ademit, këngëtarit aq shumë të pëlqyer nga fansat korçarë e jo vetëm. Për më tepër se një orë, Vedat Ademi këndoi hitet më të bukura të tij ndër vite, duke elektrizuar të pranishmit. Grupi “Asgjë Sikur Dielli” ishte rezervuar për në fund, si për të mbajtur gjallë entuziazmin dhe kamufluar edhe atë pak lodhje të të pranishmëve, për të çuar edhe një herë tjetër në delir çdo adhurues të muzikës së grupit të tyre.
Nata e katërt pritet të jetë më e bukur dhe me më shumë muzikë të zgjedhur. Emra të njohur të muzikës shqiptare, si grupi “Elita 5”, Devis Xherahu, Elton Deda, Eneda Tarifa, grupi “Lynx” apo Marsela Çibukaj, pritet të ngjiten në skenë për të dhuruar muzikën më të mirë të tyre.
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: