Tritan Shehu, deputet i zgjedhur i PD-së denoncon vendimin e mazhorancës socialiste për shkarkimin e Presidentit Ilir Meta të cilin e konsideron antikushtetues që duhet të shkarkojë veten e tij dhe jo presidentin. Z.Shehu përmes “Gazeta Shqiptare”, e cilëson parlamentin aktual, një karikaturë, i cili, sipas tij, nuk mund të guxojë që të marrë përsipër një çështje kaq të vështirë e shumë të rëndësishme për të ardhmen e demokracisë.

Ai shpreh shqetësimin se ky “Kuvend” është dhe një “bombë” e rrezikshme në duart e Edi Ramës kundër demokracisë, institucioneve, integrimit, kundër çdo gjëje që ka nevojë realisht ky vend. Tritan Shehu akuzon se “42 pupacët” në Kuvend “janë ndër përgjegjësit kryesorë për pamundësinë e zgjedhje të përgjithshme dy vite më parë.

Sipas tij, ata i kanë krijuar një dëm të pa llogaritshëm demokracisë shqiptare me atë veprim “skuthash”, duke e ngarkuar veten e tyre me përgjegjësi të madhe, përfshirë dhe çështjen e shkarkimit të kreut të shtetit. Ndaj Tritan Shehu gjykon që çështja “Meta” duhet t’i lihet parlamentit të ri të dalë nga zgjedhjet e 25 prillit.

Z.Shehu, si e shikoni vendimin e mazhorancës në Kuvend për shkarkimin e Presidentit Ilir Meta, a ka themel politik ky proces?
Së pari, dua të përgjigjem në linja të përgjithshme. Unë nuk jam konstitucionalist, kështu nuk mund e nuk dua të hyj në detaje teknike e strikt juridike të kësaj ndërmarrjeje.
Por nga sa konstatova as komisioni i posaçëm parlamentar nuk realizoi një gjë të tillë. Pra, iu shmang argumenteve të vërteta juridike e kushtetuese, duke tentuar të mbulojë këtë boshllëk thelbësor me terma, argumente e llafollogji politike. Pra, unë mund të konstatoj qartësisht se ky ngërç është një proces politik, interesash politike, përplasjesh politike, dëshirash për kontrolle e dominime politike të institucioneve. Në fakt, për hir të së vërtetës dua të them se një proces i tillë “impeachment” gjithmonë ka një themel politik, kudo ku mund të ndodhë. Por në këtë rast kemi pothuajse tërësisht platformën, vullnetin e orientimin politik në themel të gjithçkaje që po ndodh.
Dhe ky është problemi i kryesor, sepse përveç të tjerave krijon dhe një precedence politike shumë të rrezikshme për vendin, për rolin e presidentit në tërësi dhe vetë demokracinë, që bazohet mbi parimin e ndarjes së pushteteve. Në fakt, mua me shqetësoi shumë edhe një deklaratë në media e drejtuesit të atij komisioni kur tha pak a shumë, se kjo që po bëhet do të shërbejë edhe si një mësim për presidentët e tjerë që do të vijnë! Një deklaratë e tillë është shumë e rrezikshme. Këtu kërkohet të shantazhohen e të kapen të gjitha pushtetet nga kjo mazhorancë dhe siç duket ky është themeli i çështjes, të ketë kudo vetëm “pupacë”.

Pavarësisht kësaj që thoni, me datën 9 qershor raporti i komisionit hetimor do të votohet në Kuvend?
Po, tashmë është caktuar dhe data e kalimit në atë “Kuvend”, që siç ishte “optimist” drejtuesi i komisionit dhe unë jam i bindur që do të marrë kartonët e atij pseudo-parlamenti. Dhe këtu qëndron pikërisht problemi i dytë: Ky “parlament” duhej e duhet së pari, të shkarkojë vetveten, ai është bërë një problem madhor i këtij vendi, i demokracisë dhe i parlamentarizmit, është vetëm një karikaturë. Ky parlament nuk ka të drejtën morale, profesionale, politike, të përfaqësimit që të guxojë të marrë përsipër e të involvohet në çështje kaq të vështira, delikate, shumë të rëndësishme për të sotmen e të nesërmen e demokracisë sonë.

Realisht ju si opozitë duke dorëzuar mandatet ndihmuat në krijimin e një Kuvendi të tillë?
Në të vërtetë ky “Kuvend” është dhe një “bombë” e rrezikshme në duart e Edi Ramës kundër demokracisë, institucioneve, integrimit, kundër çdo gjëje që ka nevoje realisht ky vend. Jam dakord me ju për shkakun formal të krijimit, po pavarësisht si u krijua ky Kuvend, pavarësisht gjykimit mbi vendimin tonë për të dorëzuar mandatet, që ka vend për diskutim, mund të konsiderohet edhe i gabuar sot në retrospektivë duke parë veçanërisht “monstrën-kuvend” që krijoi, pavarësisht rrethanave e qëllimit që na shtynë atëherë, është e pafalshme ta mbash në këmbë këtë Kuvend. Një veprim i atëhershëm, që mund të konsiderohet jo i përshtatshëm apo dhe i gabuar, nuk mund të korrigjohet me gabime të tjera akoma më të rrezikshme, që është shfrytëzimi i këtij parlamenti për hapa, ligje, vendime antidemokratike. Aq më shumë është e dënueshme ta përdorësh këtë për vendime shumë të rëndësishme, ndryshime kushtetuese, votime të cilësuara etj, etj, siç ishte dhe ndryshimi i Kodit Zgjedhor, siç është çështja në fjalë për presidentin, siç janë dhe të tjera, me të cilat veçse është goditur demokracia shqiptare.

Dhe cila do të ishte rruga e duhur në këtë situatë?
Më të thjeshtën dhe me racionalen, që ky “Kuvend” mos të përfshihet në këtë çështje kaq të rëndësishme për sot e për perspektivën sepse: së pari, është antikushtetues. Ai ka vetëm 122 anëtarë kur duhet të kishte 140, pra nuk përfaqëson shqiptarët edhe formalisht e numerikisht.
Së dyti, nuk ka asnjë ngjyrim e përfaqësim politik pluralist, është thjeshtë monist. Aty janë mbledhur 42 “pupacë” të pa votuar, të peshkuar nga Rama nga thellësitë e errëta, nga fundet e listave, nëpërmjet ofrimit të “karremave të shijshëm”, thjeshtë si fasadë e për t’u përdorur nga ai. Këta erdhën dhe u ulën aty mbasi ishte marrë vendimi i daljes nga Kuvendi prej opozitës, jashtë mandatit të forcave politike, që dhe formalisht i kanë përjashtuar.
Në fakt, pikërisht këta janë ndër përgjegjësit kryesorë për mos kalimin në zgjedhje të përgjithshme mbi dy vite më parë. Pra, i kanë krijuar një dëm të pa llogaritshëm demokracisë shqiptare me atë veprim “skuthash” atëherë, duke e ngarkuar veten e tyre me përgjegjësi të madhe, të pashlyeshme as nga ndonjë deklaratë, që dikush prej tyre mund të bëjë tashmë.

Në këtë rast, a e zhvlerëson Kuvendi i ri i dalë nga 25 prilli, parlamentin aktual?
Ky pozicion i tyre dhe i kësaj karikature legjislative, thellohet dhe më shumë edhe për faktin se tashmë është konfiguruar Kuvendi i ri, pavarësisht deformimit të zgjedhjeve të 25 prillit, gjë që e bën edhe më të zhvlerësuar ekzistuesin, duke imponuar definitivisht zhveshjen nga vendimet e rëndësishme të tij. Besoj se jemi vendi i vetëm në botë ku bëhen zgjedhjet parlamentare, zgjidhet parlamenti i ri, ndërsa i mëparshme akoma jo vetëm nuk është shpërndarë, por dhe vazhdon “normalisht” aktivitetin. Dhe për më tepër kërkon të marrë ndërkaq të tilla vendime të rëndësishme me pasoja thelbësore e afat gjatë! Kjo është të deformosh parlamentarizmin dhe rregullat e tij të lojës!
Në qoftë e ky “parlament” duhet e mund të marrë një vendim të rëndësishëm ai është vetëm shpërndarja e atij, një orë dhe më parë. Çdo ditë që funksionon ai shpërndan imazhe turpi dhe dëmton interesat e vendit. Pra, ai nuk ka asnjë të drejtë të shkarkojë presidentin, kur, në fakt, duhej të shkarkonte veten e tij!

Sipas jush si duhet vepruar?
Tashmë ka vetëm një rrugë. Absolutisht ky Kuvend duhet të përjashtohet nga përfshirja në këtë çështje kaq të rëndësishme. Pa dashur të hyj në elementët juridikë të thelbit të çështjes, dua të them qartësisht se tashmë ky gjykim meqenëse ka filluar, duhet t’i lihet Kuvendit të ri, që do të formalizohet në shtator.

Po në rast të avancimit të këtij procesi?
Avancimi më tej i këtij procesi, që në vetvete ka shumë “errësira”, me Kuvendin 122-sh e me 42 “pupacë”, është një atentat i rëndë ndaj demokracisë, që unë do ta quaja një “grusht shteti” të vërtetë. Kjo tingëllon sikur me këta “42 pupacë” të krijojmë edhe modelin e Presidentit-pupac. Pra, këtu duhet ndalur pak, duhet pritur Kuvendi i ri e shqyrtimi me atë i kësaj ndërmarrjeje shumë komplekse e me pasoja afatgjatë, qoftë edhe vetëm si precedencë.

Po nëse pas Kuvendit, kërkesa për shkarkim mbërrin në Gjykatën Kushtetuese?
Kjo është një çështje tjetër, që unë nuk mund ta paragjykoj dhe as ta parashikoj, pavarësisht mendimit tim për procesin e filluar, mungesën e thelbit juridik e kushtetues në atë. Shpresoj që ajo Gjykatë, në qoftë se kërkesa do të arrijë deri aty, të jetë objektive dhe shteruese. Por kjo nuk ndryshon qëndrimin e gjykimin tim për sa thashë për procedurën parlamentare të kësaj “nisme” të Rilindjes.
Askush nuk duhet të mendojë se Gjykata Kushtetuese mund të shlyejë katrahurën që po krijon ky “Kuvend”. Jo, ne jemi republikë parlamentare e demokraci parlamentare dhe si e tillë së pari, nuk duhet të lejohet ky Parlament të thellojë aventurat e atentatet e tij të rrezikshme ndaj demokracisë sonë, të cilat edhe pa këtë të fundit janë të shumta e me pasoja të rënda.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: