25-vjeçari, që akuzohet se ka bashkëpunuar me Esmerald Ballën për vrasjen e babait të këtij të fundit, Enver Ballën, ka rrëfyer përpara policisë detaje tronditëse.
Edison Brahaj, i punësuar si bari në familjen Balla ka thënë se ditën e krimit, më 13 gusht, ka qenë disa metra larg vendit ku është ekzekutuar Enver Balla. Ai ka pranuar se ka dëgjuar dy të shtëna me armë zjarri dhe më pas është thirrur nga Esmeraldi, që ta ndihmojë për ta zhvendosur trupin e viktimës, që fillimisht e kanë fshehur në ferra.
Të nesërmen, më 14 gusht, janë kthyer për ta marrë trupin e për ta hedhur në pus, pranë një tjetër stani. “E kemi lënë trupin e pajetë në ferra në vendin e ngjarjes, pastaj në darkë e kam ndihmuar. E kemi futur në furgon dhe e dërguam te pusi. I hodhëm ca goma sipër trupit në pus, që të mos dalë nga uji. Më ka dhënë 2 milionë lekë të vjetra“- ka thënë Brahaj.
Ndërsa, vetë Esmerald Balla ka thënë se i ka dhuruar Brahajt 2 milionë e 500 mijë lekë të vjetra. Gjatë kontrollit në banesë, Brahajt i janë gjetur 145 mijë lekë të reja.
(Balkanweb)