Shtëpia e Bardhë ka deklaruar se SHBA nuk ishte e përfshirë në rebelimin e Wagner në Rusi dhe se nuk merret me çështjet e brendshme ruse.

Kjo deklaratë vjen pas akuzave nga ministri i Jashtëm rus, Sergey Lavrov, i cili tha se shërbimet  speciale të vendit po hetojnë nëse vendet Perëndimore ishin të përfshira në rebelimin e Wagner.

“Shtetet e Bashkuara nuk u përfshinë dhe nuk do të përfshihen në këtë situatë. Kjo ishte një çështje e brendshme ruse”, tha në një deklaratë  zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare, Adam Hodge.

Më herët, Lavrov në një intervistë për mediat ruse tha se megjithëse departamenti i tij nuk ishte i përfshirë në mbledhjen e provave të aktiviteteve të paligjshme, shërbimet ruse po shikonin mundësitë për ndërhyrjen e huaj.

I pyetur nëse Rusia ka prova se Perëndimi ose Ukraina ishin të përfshirë në këtë rebelim, Lavrov tha se “Unë jam duke punuar në një departament që nuk është i angazhuar në mbledhjen e provave për veprimet e paligjshme. Por ne kemi shërbime të tilla dhe ju siguroj, ata tashmë po e shqyrtojnë këtë çështje.”

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb