Edhe pse ka rreth dy muaj që nuk e mban postin e Drejtorit të Burgjeve, telashet gjatë kohës së ushtrimit të kësaj detyre kanë vënë në pranga Arben Çukon.

Ai dyshohet se është i përfshirë në korrupsion pasiv, gjatë kohës që ushtronte detyrën e Drejtorit të Burgjeve

Urdhër arresti u ekzekutua sot pasdite dhe aktualisht Çuko është i ndaluar në ambientet e Drejtorisë së Policisë së Tiranës.

Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, nëpërmjet një njoftimi zyrtar e shkarkoi si Drejtor Çukon me motin e rritjes së sigurisë në burgje. Vendin e tij e zuri Stefan Çipa.

Sipas njoftimit zyrtar të shpërndarë nga Ministria e Drejtësisë në atë kohë thuhej se “ky ndryshim bëhet për të përmirësuar punën e Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, veçanërisht në drejtim të rritjes së sigurisë së brendshme dhe kontrollit si dhe rritjes së efikasitetit të luftës kundër korrupsionit në sistemin e burgjeve”.

Arben Çuko nga deputet i PS mori detyrën e Drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve në korrik të vitit të kaluar dhe zëvendësoi Arjan Hoxhën, i cili u emërua në këtë post pas marrëveshjes Rama-Basha.

Çuko ka qenë anëtar i Komisionit të Sigurisë, Komandant i Gardës së Republikës dhe këshilltar i Kryeministrit të Kosovës për Sigurinë

(e.f/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb