Trajneri i Kastriotit, Emiljano Çela, mendon se ndalesa e kampionatit për skuadrën e tij pas çështjes që lindi në ditët e fundit rreth kërcënimit të gjyqtarëve, mund të penalizojë disi skuadrën. Por në intervistën e tij për emisionin “Panorama Sport” në “Panorama TV”, ai ka treguar se të gjithë në klubin krutanë kanë mbetur të çuditur nga kjo çështje.

Çela ka shpjeguar se nuk kishte asnjë dijeni si sa i përket rastit të fundit të Juxhin Xhajës, ashtu edhe të atij të mëparshmit, në ndeshjen ndaj Laçit, ku sipas FSHF-së, gjyqtarët kanë anuluar nën presion një gol të kurbinasve.

“Disa periudha nuk kemi pasur impenjimin e duhur, kemi pasur dëmtime dhe as grupin e duhur.

Në fazën kur unë kam qenë ekipi ka qenë mirë, por gjatë kohës kur unë nuk isha në pankinë nuk ka qenë mirë. Në momentin që u shkëputa ekipi pati humbje dhe jo rezultatet të mira. Ndeshjet e fundit jemi përmirësuar goxha, qoftë lojën dhe dinamikën, por ekipi ndodhet në vendin e fundit dhe kemi shkëputje, na duhet një mrekulli. Na duhet që këtë fazë të sigurojmë 15 pikë që të qëndrojmë në Superiore. Duhet të masim forcat me lojtarët që kemi, duhet të vazhdojmë punën, çdo ndeshje është finale. Nga java në javë bëhen llogari të tjera dhe ndryshon situata.

Në ditën e ndeshjes me Bylisin mësuam nga lajmet dhe portalet që fitorja me Laçin kishte pasur probleme. Sinqerisht ishte një ndeshje perfekte e ekipit, patëm dominim, komanduam ritmin e lojës, aksidentalisht pësuam një gol, patëm fatin që u anulua goli i Laçit dhe për mendimin tim ishte vendim i drejtë. Më pas shënuam ne golin dhe morëm 3 pikë me shumë vlera. Me kundërshtarët u përshëndetëm shumë mirë, paqësisht dhe sinqerisht në atë ndeshje nuk kam parë asnjë lloj problemi.

Skuadra ime e meritoi fitoren dhe ne që e pamë e kuptuam që ishte mëse e merituar. Arbitri nuk ka qenë absolutisht i presionuar, ai ka qenë i vëzhguar me kamera. Ai thirri VAR-in, nuk e di çfarë ka bërë dhe çfarë ka thënë, këto gjëra nuk i di pasi nuk është kompetenca ime, unë jam trajner sa i përket fushës së futbollit. Brenda fushës çdo gjë ishte korrekte. Mezi e prisnim ndeshjen me Bylisin, kishim besim që do ta fitonim. Pauzat nuk janë të mira për ekipin, jam i sigurt që do luajmë mirë. Kam besim tek ekipi pasi po më përgjigjet në mënyrë perfekte.

Nuk kam asnjë koment për kërcënimin ndaj arbitrave, jam i painformuar për këtë gjë dhe nuk di asgjë.

Nuk ka arsye që kjo ngjarje të jetë tendencioze ndaj Kastriotit, të gjitha klubet jemi korrekte jemi produkt i FSHF-së, këtë vit ne kemi bërë organizim perfekt, mënyra se si i presim dhe i përcjellim ekipet. Nuk mendoj që ka asgjë tendencioze.

Nuk më shkon kurrë ndër mend që duan të rrëzojnë Kastriotin nga Superiorja, nuk ka lidhje dhe arsye pse Federata të rrëzojë një ekip apo një tjetër.

Dua të jem i drejtpërdrejtë përsa i përket kërcënimit të arbitrave, unë nuk di asgjë se çfarë ndodh jashtë fushës së futbollit dhe as nuk më përket që të flas. Unë jam trajner, dhe për të folur për këto gjëra janë njerëz të tjerë kompetentë. Nuk e di pse po lakohet vetëm emri i Kastriotit, këto lajme më mërzitin, zbehet puna ime dhe e lojtarëve të mi, çdo pikë që kemi marrë është falë punës, gjakut dhe djersës që kemi derdhur. Çdo gjë e kemi marrë me meritë të plotë. Kam pasur kontakte me presidentin e klubit, ai është i shqetësuar dhe i mërzitur si të gjithë ne. Presidenti i qëndron shumë afër ekipit, familja Vogli në Krujë ka 10 vjet që investon, që të mbajë lart fanellën e futbollit krutan, 80% të investimeve i ka nga xhepi i vet, dhe të gjithë e dimë sa e vështirë është të mbash një klub futbolli sepse ka shumë investime të mëdha.

Presidenti është i mërzitur sepse në fund të fundit është biznesi i vet dhe i dhemb shumë. Ndeshja në Elbasan do të ndikojë, se ne jemi mësuar në Kamëz, çdo gjë e bënim aty. Shpresoj të na shkojë çdo gjë mirë. Ne gjithmonë kërkojmë pikë ndaj ekipeve të kreut, ne jemi të fortë dhe mund të përballemi ndaj kujto. Shpresoj që fusha e Elbasanit të na japë fat.

Përsa i përket kërcënimit të arbitrit, Juxhini është një ndër arbitrat më të mirë në Shqipëri, dhe është një ndër arbitrat që e vlerësoj më shumë. Më vjen shumë keq për të, uroj që të mos jetë e vërtetë, nuk e di a kanë qenë përfaqësues të klubit të Kastriotit që e kanë kërcënuar, më duket absurde pasi mund të ketë qenë kushdo. Nuk kam çfarë të them më shumë për këtë gjë, më vjen keq”, tha Çela.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb