TIRANË- Familjarët e 57-vjeçarit nga Mitrovica Xhafer Osmani që u gjet i djegur brenda makinës së tij në fshatin Borizan të Krujës janë ende në pritje të tërheqjes së trupit të tij të pajetë.

Gazetarja Dorjana Bezat raportoi për “BalkanWeb” se ata kanë mbërritur në orët e paradites pranë morgut në QSUT ku kanë pritur për disa orë, më pas i janë drejtuar policisë shkencore për të kryer procedurat për tërheqjen e trupit.

familjaret e Xhafer Osmani

Osmani u gjet i djegur brenda makinës së tij mesditën e së shtunës ndërsa pak orë më vonë u zbulua dhe identiteti i tij.

Sipas hetimeve të para, 57-vjeçari është torturuar dhe më pas është djegur në makinë. Blutë e Durrësit që po hetojnë ngjarjen thonë se në vendin e krimit makabër në Fushë-Krujë kanë gjetur prova të shumta, për të arritur në gjurmët e autorëve.

Shtetasi kosovar kishte hyrë me mjetin e tij tip “Volkswagen Touran” me targa 02960SN në Shqipëri pesë ditë para se të gjendej i vdekur. Ka dyshime të forta se ai mund të jetë marrë peng për t’i nxjerrë ndonjë informacion, e më pas është eliminuar.

Po kështu dyshohet se 57-vjeçari ka fjetur në disa hotele të ndryshme në qytetin e Durrësit, por ende nuk është arritur të zbulohet nëse ka pasur një raport të qëndrueshëm, lidhje dashure për një kohë të gjatë me një femër në Shqipëri.

Për të tërhequr trupin e kosovarit të masakruar dhe pastaj djegur në Fushë-Krujë ka ardhur në Shqipëri vëllai i tij. Ai ka deklaruar se Xhafer Osmani 57 vjeç ishte beqar dhe ka kërkuar me ngulm kryerjen e ekspertizës mjeko-ligjore. Pas insistimit të këtij të fundit, pritet që ekspertiza të dalë sot.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb