Policia braziliane ka konfirmuar se eshtrat e gjetura në pyjet e Amazonës janë ato të gazetarit britanik Dom Phillips, ndërsa identifikimi i trupit është bazuar në të dhënat dentare

Një trup i dytë i gjetur në po të njejtin vend, besohet të jetë ai i ekspertit indigjen Bruno Pereira, që është ende duke u ekzaminuar.
57 vjeçari Phillips dhe 41 vjeçari Pereira, u raportuan për herë të parë të zhdukur më 5 qershor.

Në fillim të kësaj jave, një i dyshuar pranoi se kishte varrosur trupat. I dyshuari më vonë u identifikua si Amarildo da Costa de Oliveira.

Policia tha se ai kishte shpjeguar në detaje se si u vranë të dy burrat përpara se t’i çonte oficerët në vendin ku ishin varrosur trupat e tyre.

Arkivoli me mbetjet njerëzore të gjetura u transportua në fillim të kësaj jave në kryeqytetin Brasilia për analiza. Më pas u gërmuan mbetjet njerëzore.

Vëllai i të dyshuarit, Oseney da Costa de Oliveira, gjithashtu është arrestuar në lidhje me vrasjet, por mohon çdo përfshirje.

“Dom ishte një nga më të mirët – i qetë, por kurioz”

Pas rrëfimit të të dyshuarit, familja e Dom Phillips tha se ishin “zemërthyer”.

“Ne u jemi mirënjohës të gjithë atyre që kanë marrë pjesë në kërkim, veçanërisht grupeve indigjene që punuan pa u lodhur për të gjetur prova e vrasjes. Falënderojmë shumë njerëz që janë bashkuar me ne për t’i kërkuar autoriteteve të intensifikojnë kërkimin dhe ata që kanë dërguar fjalë ngushëllimi dhe simpatie,” thanë ata në një deklaratë të mërkurën.

Gruaja e Phillips, Alessandra Sampaio, tha në një deklaratë të veçantë se “Tani mund ta sjellim në shtëpi dhe t’i themi lamtumirë me dashuri”.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb