Ndonjëherë në Shqipëri i duam gjërat shpejt dhe thjesht. Pastaj kur sheh Kristjan Asllanin që 20 vjeç shkon tek Interi, atëherë “bindja” shtohet: “Ja, shiko sa shpejt i kapi majat ai djali…” Mirëpo nuk është kështu. Përkundrazi, Asllani ashtu si edhe mijëra futbollistë të tjerë që kanë mundur të luajnë në nivele të larta, kanë sakrifikuar shumë për të arritur aty. Mbi të gjitha, familjet e tyre. Vetëm prindërit e një sportisti e dinë se çfarë sakrificash bëjnë derisa fëmija i tyre të shkëlqejë në arenën ndërkombëtare.

Rasti i Kristjan Asllanit është një shembull frymëzues për mijëra të rinj, sepse biri i një emigranti të thjeshtë nga Elbasani sot është pjesë e një prej klubeve më të rëndësishëm në skenën europiane. “U largova nga Shqipëria me gomone në vitin 2001. Im bir lindi një vit më pas, më 9 mars, atëherë kur ka ditëlindjen edhe klubi i Interit. Koincidencë e bukur. Por kurrë nuk e kisha menduar se një ditë do të mbërrinte kaq lart”, thotë për “Panorama Sport”, Gentjan Asllani, babai i mesfushorit të Kombëtares shqiptare.

Gentjan Dhe Kristjan Asllani
Gentjan Dhe Kristjan Asllani

Gentian dhe Kristjan Asllani

Z.Asllani, pse hezituat kaq shumë për të folur me ne?
Intervistat nuk i kam shumë qejf sepse ndonjëherë duket sikur kemi kapur qiellin me dorë.
Pse a nuk është si të kapësh qiellin me dorë kur djali shkon tek Interi…?

Është gëzim i madh, por kjo nuk do të thotë të humbim thjeshtësinë.

Komplimente, sepse është krenari të shohim një lojtar shqiptar të luajë tek Interi. Fillimisht duam t’ju pyesim si përfunduat ju në Itali?

Në Itali unë kam ardhur në 23 dhjetor të vitit 2001, d.m.th. para 21 vitesh. Unë tani jam 48 vjeç. Kam ikur si të gjithë shqiptarët e tjerë. Fillimisht përfundova në Rimini. Kam pasur aty disa njerëz të mi nga Fieri që më kanë ndihmuar. Kam ndenjur dy vjet, pastaj jam spostuar në Piza. Kur ka lindur Kristjani në Elbasan unë kam qenë në Itali. Data e lindjes së tij është 9 mars, që është dhe dita e lindjes së Interit. Më vonë, në 2004 kam marrë edhe familjen në Piza, kur Kristjani ishte dy vjeç. Këtu Kristjani filloi të shkonte në kopsht. Më vonë filloi dhe futbollin këtu në fshatin që unë jetoj, në një fshat të Pizës.

Kur dëgjuat për herë të parë që Interi kishte interes për djalin tuaj?

E kishim dëgjuar nga mediat, por nuk e mendonim se do të realizohej. Dhe kur njerëzit më pyesnin isha mosbesues. Nuk e besoja. Unë e kam dëgjuar një natë më parë se Kristjani do të luante me Izraelin në Shqipëri.

Çfarë ndodhi saktësisht?

Atë ditë më telefonuan nga Italia dhe më thanë që duhet të vish këtu. U nisa direkt në Itali dhe filluan takimet e mia me menaxherin e më pas edhe me Kristjanin. Ia shpjegova dhe i thashë se pas ndeshjes me Izraelin duhet të jesh këtu në Itali.

Kristjan Asllani
Kristjan Asllani

Pati një moment kur për Kristjanin foli edhe Lukaku duke e konsideruar djalin tuaj shumë inteligjent… E keni parë atë video?

Unë atë ditë kam qenë vetë në Milano, deri në momentet e fundit mua më kanë thënë fjalët më të mira. Aty brenda në zyra jam përpjekur të jem gjithnjë i qetë dhe të mos shfaq emocione, por kur kam dalë kam pasur një stres të madh si të gjithë prindërit. Kushdo qoftë i përjeton shumë ato momentet kur djali yt duhet të shkojë në një klub të madh si Interi…

Pse, çfarë ndodh gjatë atyre orëve?

Nuk e beson dot. Ne prindërit kemi dëshirë që ta kemi fëmijën dikushi. Por mua, atë ditë aty nuk më besohej akoma dhe thosha, jam në Milano, kam ardhur për këtë punë apo… Nuk ishte një gjë e lehtë.

Më thatë që jeni larguar nga Shqipëria në 2001-shin, por nuk më thatë si udhëtuat për në Itali dhe si mbërritët aty?

Si të gjithë ata që në moshën time u nisën me gomone nga Vlora në ato vite të vështira./PanoramaSport/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb