TIRANË

Historia e një vajze të re që duhet të kujdeset e vetme për një vajzë 2-vjeçare pas ndarjes me partnerin e saj, me të cilin nuk kishte celebrim ka ardhur sot në emisionin “Me zemër të hapur” në News24.

22-vjeçarja nga Tirana Anxhela Xhija, është një nënë beqare që nisi një histori dashurie në moshën e adoleshencës përmes rrjeteve sociale dhe më pas përfundoi në ndarje.
Si shumë vajza të braktisura nga bashkëshortët, edhe jeta e Anxhelës kalon përmes një kalvari të gjatë vuajtjesh, ku burim konflikti do të bëhet familja e burrit ku ajo jetonte.

“Ne flinim në një dhomë me prindërit e burrit. Ata shanin dhe ofendonin vajzën tonë”, shpreh Anxhela, teksa rrëfen dramën e jetës së saj familjare. Në këto rrethana 22-vjeçarja detyrohet hera-herës të arratiset nga familja e ish-bashkëjetuesit dhe herën e dytë thotë ajo ndodhi për shkak të tradhtisë së hapur në çift.

Ish-bashkëjetuesi i thotë se nuk e dashuron më dhe fillon një lidhje me një tjetër femër, duke hequr dorë edhe nga detyrimet e vajzës. Por për hir të familjes dhe vajzës së vogël çifti vendos të bashkohet sërish. Nga një marrëdhënie sentimentale e dështuar tashmë, çifti përballet me të tjera konflike. Anxhela thotë se kësaj herë shkaktarët e ndarjes do të bëhen vjehrrit e saj.

“Jeta ime është e thjeshtë. Jemi 8 fëmijë. Kam dhe një motër binjake, vetëm ajo punon dhe na mban të gjithëve me bukë. Më para vetëm rrija në shtëpi, nuk bëja asgjë. Kam kërkuar punë kur isha 16-17 vjecce, po për shkak të moshës nuk më merrnin. Në moshën 15-vjeçare ose me e vogël më pëlqente ‘Facebook’ dhe fillova të rrija gjatë, aty njoha dhe bashkëshortin tim. Njohja jonë ishte thjesht rastësi. Ai më ka thënë se e nisi në formë shakaje njohjen me mua. Më tërhoqi me fjalët e bukura që më thoshte. Kemi folur një muaj, pas një muaji vendosëm të takoheshim e të konsumonim një kafe së bashku, pastaj do flisnim me familjen

Jam person që nuk para më pëlqen të dal, dua më shumë të rri në shtëpi dhe kur ai më kërkonte unë nuk dilja, shumë pak e takoja”, thotë Anxhela, teksa nuk i mban dot lotët kur flet për ish-partnerin e saj.

Nëna e re tregon më tej se pas njohjes erdhi dhe propozimi nga partneri i saj për të bashkëjetuar bashkë.
“Vendimin për bashkëjetesë e morëm bashkë, propozimi erdhi nga ana e tij dhe unë e prita shumë mirë. Unë i tregova familjes sime, i thashë që kisha njohur një djalë në ‘Facebook’, është djalë i mirë dhe prindërit pranuan të takoheshim edhe prindërit e atij pranuan.
Vendosëm të bëja një gosti të vogël në shtëpi, thirra njerëzit e mi, kishim rënë dakord me familjen e atij, por atë natë më gënjente do vijmë tani do vijmë pastaj, si përfundim më tha që i ati ishte në punë dhe nuk vinin dot. Unë u mërzita shumë dhe prindërit më thanë që kjo histori të mbyllej aty. Ai kur e takova më thoshte justifikime të tjera. Erdhën pas një jave të më merrnin, por unë e kuptova se ata nuk më donin.
Kur erdhi dhe nusja tjetër në shtëpi kishim konflikte për dhomën edhe dy vëllezërit kishin konflikte. Isha shtatzënë 2 javëshe, ata nuk më rrinin afër dhe thirrën prindërit e mi e i thanë që unë nuk isha nuse për ta. Unë s’di kurrë t’i kem ofenduar dhe t’u kem kthyer fjalë. Edhe pasi linda gocën ata nuk e afronin shumë. Shtatzënia ishte e dëshiruar nga të dy ne. Kur vajza erdhi në jetë isha tek prindërit e mi, i lashë dhomën kunatit, shkoja nja dy ditë tek ata, por më shumë rrija tek njerëzit e mia edhe kur linda gocën edhe më pas. Pasi kisha lindur gocën dhe ata kishin marrë shtëpi me qira, ai më tradhtoi, e kam kapur mat 2 herë, në Instagram. Ai e bënte këtë në syrin tim dhe kur e pyesja ai më thoshte se e bënte të kalonte kohën”, tregon 22-vjeçarja.

Anxhela thotë se pasi i kapi mesazhet nuk ka bërë debate me partnerin por arsyeja e ikjes së saj nga shtëpia ishin prindërit e tij. “Ika për shkak të prindërve të tij. Herën e dytë që u ndava nga ky ai u martua me një tjetër dhe pas 1 muaji u nda dhe erdhi prapë tek unë, bashkëjetoi me atë tjetrën. E takova e pyeta dhe ai e pranoi këtë gjë. Ai më tha që ‘doja të shihja dhe unë jetën time, nuk rrija dot vetëm’. Prindërit e tij, fëmijën tim nuk e donin e mallkonin, i flisnin keq”, tha më tej e reja. Por problemi kryesor i Anxhelës është se i ati i vajzës nuk jep asnjë kontribut për rritjen e saj dhe për gjithçka i duhet të përgjigjet vetë.

Në studio erdhi dhe zëri i ish-partnerit të saj.
“Anxhela ka dashur të dalë vetëm nga familja ime. Jam dakord por ne nuk i kishim mundësitë, vetëm unë punoja, ajo nuk punonte. Nuk ka pasur probleme me vëllain dhe nusen e vëllait tim. Ajo e kishte vetë fajin, kërkonte gjithë kohës të ikte tek mami dhe babi i saj. Anxhela i di rrethanat pse nuk shkova dot unë me familjen tek shtëpia e saj ditën e gostisë. Unë nuk mund të shkoja dot vetëm atje, babi ishte në punë, ishim bërë të gjithë gati e pritëm babain, ai s’mundi të vinte dhe u kthyem.
Mirë kur kishim banesë të vogël, po kur kisha një banesë të madhe ca problemi kishte Anxhela?
Ndarja jonë ishte vetëm se ajo kërkonte shtëpi me qira, ne s’ia dilnim dot se vetëm unë isha në punë. Ajo kur shkonte tek shtëpia e prindërve punonte ndërsa kur vinte tek unë s’donte të punonte. Anxhela donte të riktheheshim bashkë, unë nuk doja. Për vajzën përpiqem sa kam mundësi. Nuk i kam dhënë pagesën mujore por kur ka pasur nevojë kam shkuar”, tha i ati i vogëlushes 2 vjecce.

Anxhela tha më tej se nuk do pranonte të rikthehej prapë me ish-partnerin e saj por se kërkonte që ai të paguante detyrimet për vajzën, pasi e kishte të pamundur t’ia dilte.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: