Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka hedhur akuza të forta ndaj ish-kreut të SPAK, Altin Dumani. Në një deklaratë për mediat nga Prokuroria e Posaçme, Berisha tha se Dumani del zbuluar nga dokumentet mbi pretendimet e bëra gjatë procesit të vetingut për origjinën dhe ndërtimin e një vile.

Ai pretendoi se në deklaratat e paraqitura gjatë procesit të rivlerësimit, është deklaruar se banesa ishte ndërtuar dhe banuar që prej vitit 2000. Sipas Berishës, deklarata noteriale e familjes së bashkëshortes së Dumanit është dorëzuar fillimisht në procesin e vetingut, por më pas është tërhequr nga dosja. Berisha e cilësoi këtë rast si provë të manipulimit të procesit të vetingut.

“Tani, shënimi që lashë: Altin Maneku Troplini Hajri shtohet edhe mbiemri Vila. Sot shqiptarët do mësojnë se ai që ka kryesuar këtë institucion, është një pare-larës i shpifur, është një mashtrues ordiner, është një delinkuent i vërtetë sipas dokumenteve të këtij shteti. E kam denoncuar vite më parë dhe për fat të keq ka arritur të kapërcejë i palagur, ndonëse siç do faktohet këtu, ky është një mashtrues i shpifur. Vetingu i tij është një proces i rremë, i turpshëm, i dokumentuar.

Herën e kaluar unë u tregova se si Altin Dumani në veting ka deklaruar se ka blerë apartament dhe zyrë me vlera disa herë më të ulëta se vlerat e tregut nga Andon Pango që shiste disa herë apartamentet. Dhe se si Altin Troplini, Altin Dumani i dërgonte mashtruesit Pango që është i dënuar me 6 vite, badigardin e tij nga shteti jo privati, për të terrorizuar dhe nxjerrë njerëz nga shtëpia e banimit sepse mashtruesi Pango i dënuar nga gjykata ua kishte shitur të tjerëve apartamentin e tij.

Por sot unë jam këtu për një denoncim tjetër, një denoncim të ri, i cili fakton se Altin mashtruesi, Altin Troplini, ka mashtruar gjithçka lidhur me vilën ku banon. Ky njeri që kryeson vetingun tani është i padenjë për asnjë funksion përveçse në bankën e akuzës.

Ju lutem, më ndiqni pak.

Sot do t’u tregoj për vilën ku banon Altin Troplini, të cilën në qoftë se ju bëni një kontroll të intervistave të tij, ai thotë se në atë vilë unë banoj me qira.
Dhe se me dokumente shtetërore kanë deklaruar se vila është ndërtuar pothuajse e tëra para martesës së Troplinit me Ariklën, zonjën e tij aktuale bashkëshorte në mënyrë që askush të mos mund të lidhë ndërtimin e vilës me dhëndrin.

Pra, Altini është bërë dhëndër aty në atë familje pasi kishte përfunduar vila.

Dhe po të thoshte ndonjëri nga ju që vila u ndërtua me paratë e Altinit, do të thoshin se ky është një mashtrim pasi Altini është bërë dhëndër pas përfundimit të vilës.

Kur u bë vetingu i Altin Troplinit, prindërit e bashkëshortes paraqitën një deklaratë noteriale 1516 numër 432 datë 15.06.2019.

Prindërit e gruas së tij deklarojnë se paratë për ndërtimin e vilës i kanë marrë nga misionari Graham Bel përgjatë viteve 1999-2003.

E kuptoni ju, bamirësi i madh, si puna e Rrapush Xhaferrit?

Pra, i kanë marrë gjatë këtyre viteve afro 45 mijë paund.

Se si misionari i jepte 45 mijë paund një familje, kjo është…

Po, po, pikërisht. Bravo, e shkëlqyer. Edhe ky supermashtrim i Dumanit. Këta që përdorin kishat për mashtrim, këta nuk kanë as Zot, as Krisht, as profet, as Muhamed, as Budë, asgjë. Këta janë puro hajdutë. Dëgjoni tani se si ka shërbyer si kishë kjo. Në deklaratën noteriale të Jorgo Pangos dhe Arikla Pango thonë: Dhëndri ynë Altin Dumani nuk ka asnjë kontribut financiar në ndërtimin e kësaj shtëpie. Ai është martuar me vajzën tonë në janar të vitit 2003. I kërkoj ndjesë zonjës Arikla se unë e mora për emrin e vajzës, qenka emri i vajzës.

Pra, është martuar me vajzën tonë në janar të vitit 2003, kohë kur po mbaronte kati i tretë i vilës dhe financat ishin siguruar.

Pra, dhëndri ynë nuk kishte pse fuste fare dorën në xhep për përfundimin e vilës.

A është kështu apo jo?

Shtëpia ka filluar të banohet, kishë sipas Dumanit, nga familja Pango që prej vitit 2000. Mbajeni mend.

Por çfarë thonë dokumentet e shtetit, të kadastrës, të lagjes, të legalizimit?

Çfarë tregojnë?

Vila që pretendohet se u ndërtua në vitin 2000, dokumentet thonë se është në tokën e familjes Çullhaj, zotit Gëzim Çullhaj, të cilët kanë bërë kontratë noteriale numër 8845 602 me datën 24.09.2004.

Kontratë noteriale me familjen Çullhaj për shitjen tek Jorgo Pangos të tokës bujqësore prej 307 metër katrorë, e cila figuron në kadastër tokë arë e lirë në vitin 2004.
Pra, Dumani e deklaron ndërtesën të ndërtuar në vitin 2000, madje edhe të shndërruar në faltore ku luteshin dhe paguanin para çifti anglez, Bel dhe bashkëshortja, në një kohë kur në vitin 2004, toka ishte arë. Dhe jo vetëm nga zoti Gëzim Çullhaj, por kryetari i njësisë bashkiake numër 6, Irfan Dashi, në shkresën e vitit 2004, deklaron se vërtetojmë se zoti Gëzim Çullhaj është pronar i një sipërfaqeje prej 307 metra, e cila është e regjistruar në zonën kadastrale 331 dhe aktualisht, thotë kryetari i bashkisë, është sipërfaqe e lirë. Dumani thoshte se ishte e ndërtuar, ishte kishë ku faleshin, dhe i bëheshin dhurata familjes së vjehrrit të tij.

E kuptoni tani?

Pra në vitin 2004, toka ishte arë, sipërfaqe e lirë, në pronësi të qytetarit Gëzim Çullhaj. Për Altin Manekun, se këtu ia kalon edhe Irenës në disa aspekte, për Altin Manekun, është ndërtuar në vitin 2000 dhe është banuar që nga viti 2000. Kjo tregon se çfarë vetingu është bërë dhe se si ky është mbajtur peng. Tani, unë kam dokumente me vete, sigurisht. Kjo është deklarata noteriale e vjehrrit të Altin Manekut, Altin Vilës. Në deklaratën noteriale ata shkruajnë: Me anë të kësaj deklarate konfirmojmë se dhëndri ynë Altin Dumani nuk ka asnjë kontribut financiar në ndërtimin e kësaj shtëpie. Ai është martuar me vajzën tonë Alketa Pango Dumani në janar të vitit 2003, kohë kur po përfundonte edhe kati i tretë i vilës Dumani dhe financat ishin siguruar.
Shtëpia ka filluar të banohet nga familja Pango që prej vitit 2000. Do ua jap unë ju këtë dhe do ua dërgoj të gjitha. Prisni tani. Kjo deklaratë, që i duhej Altin Troplinit për të larë duart si Pilati në procesin e vetingut është dorëzuar në veting dhe është tërhequr dhe sot nuk e keni më në dosje dokumentin e mashtrimit. Ky është vetingu. Pra, është njëlloj sikur t’i heqësh dikujt një falsifikim, një mashtrim të turpshëm sepse kjo deklaratë rrëzon gjithçka. Ja ku e keni me vulë, ja ku e keni me të gjitha.”, tha Berisha.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb