49-vjeçari, Kreshnik Cara që u plagos me thikë mbrëmjen e së mërkurës, 23 shtator, në Tiranë, nuk iu ka mbijetuar plagëve të marra dhe ka ndërruar jetë në spital.
Ngjarja u shënua në rrugën “Marko Boçari” brenda ambienteve të një lokali pranë gjimnazit “Petro Nini”, ku dyshohet se autori Toni Nake, 50-vjeç, u konfliktua me Carën dhe më pas e goditi me thikë.
“Në vijim të informacionit të dhënë pak më parë, ju informojmë se shtetasi K. C., 49 vjeç, i cili u plagos me mjet prerës, pavarësisht ndihmës mjekësore të marrë, ka ndërruar jetë në spital. Grupi hetimor vijon veprimet për dokumentimin e plotë të rrethanave të rastit.”, thuhet në njoftimin e policisë.
I dëmtuar mbeti edhe autori gjatë përleshjes, i cili u dërgua gjithashtu për të marrë ndihmë mjekësore në spital pasi u vu në pranga.
