Qeveria ukrainase ka miratuar dekretin e presidentit Volodymir Zelensky për të konfiskuar 903 prona të shtetasve rusë të cilat ndodheshin në territorin ukrainas.

Lajmi u bë i ditur nga kryeministri Denis Shmygal, i cili tha se e gjithë pasuria që planifikohet të sekuestrohet është e ndarë në tri kategori.

Kategoria e parë përfshin prona që i përkasin shtetit rus. Kategoria e dytë janë asetet në pronësi të qytetarëve dhe kompanive të sanksionuara nga Rusia, ndërsa kategoria e tretë janë aktivet e bankave ruse.

“Sot, Qeveria ka miratuar Dekretin Presidencial që propozon konfiskimin e 903 objekteve që i përkasin shtetit rus: 79 janë të drejta korporative, 824 prona”, theksoi Denys Shmyhal.

Kryeministri tha se pasuritë e konfiskuara do të konvertohen në para të cilat do t’i vijnë në ndihmë ushtrisë për t’i bërë ballë agresionit rus.

“Ne aplikojmë qasje sistematike dhe veprojmë në përputhje me të gjitha procedurat. Ne nuk e zëvendësojmë ligjin me dëshirat tona, por zbatojmë këtë detyrë strategjike në mënyrë ligjore”, u shpreh ai.

Sipas kreut të Qeverisë, ky hap është i pari në strategjinë shtetërore. Tjetra duhet të jetë konfiskimi i aseteve ruse në Perëndim për të siguruar rindërtimin e Ukrainës.

“Edhe Qeveria dhe Zyra e Presidentit janë duke punuar për këtë me ekipet e avokatëve më të mirë dhe ekipet e ekspertëve ndërkombëtarë, partnerët dhe aleatët tanë”, theksoi kryeministri.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb